Sa para fitonte gangsteri më i njohur shqiptar

John Alite, ish-gangsteri më i njohur shqiptar dhe dikur një nga njerëzit e afër të ish narko-shefit John Gotti, ka thënë në një rrëfim ekskluziv për Info Magazine se në ditët e tij më të mira fitonte 5 milionë dollarë, në vlerë të sotme.

Ai është shprehur se megjithatë nuk e di me siguri vlerën e të ardhura që ka pasur, por se ajo ishte e lartë, pasi njerëz në rangje më të ulëta merrnin nga 10-50 mijë dollarë në muaj.

“Minimalisht kam bërë një milion dollar në muaj. Por nga dëshmitarët kundër meje, njëri nga të cilët i afërt i familjes Gotti, por që punonte për mua, thoshte se me shumë gjasë kisha më shumë të hyra se kaq. Ai ishte në rangje të ulëta të organizatës dhe merrte prej 10 deri në 50 mijë dollarë në muaj.

Është e vështirë ta them me siguri, pasi kam pasur rreth 300 njerëz që kanë punuar për mua, në mënyrë direkte dhe indirekte, ndoshta më shumë. Ka pasur burime të ndryshme, por besoj që në vlerën e sotme kam fituar 5 milionë dollarë në muaj”.

Alite ka deklaruar se ka pasur shumë biznese që i sillnin të ardhura të mëdha, përfshirë klube nate, biznes droge, fajdesh, parkingje të shumta e të tjera.

“Kam pasur shtëpi në disa shtete, por kur isha në arrati ato u braktisën. Po ashtu kam qenë pronar i një kompanie parkingu në disa shtete. Por e humba pas disa proceseve gjyqësore. Më pas ajo u shit për rreth 16.7 milionë dollarë.

Kam qenë pronar i një klubi nate që gjeneronte fitime prej dy milionë dollarësh në vit. Një biznes droge nga i cili merrja një milionë në muaj dhe një tjetër biznesh fajdesh. Kam pasur një biznes llogaritarie nga i cili merrja minimalisht 300 mijë dollarë në muaj. Merrja para në të gjitha drejtimet. Isha i përfshirë në shumë në shumë biznese”.