Samsung shet mbi 20 milionë telefona Galaxy S8

Samsung ka arritur të shesë mbi 20 milionë telefona Galaxy S8 dhe S8 Plus, sipas kompanisë për hulumtime Strategy Analytics, ndërsa kjo arritje është arritur deri në korrik.

Kompania për hulumtime ka bërë të ditur se dërgesat e telefonit S8 në nivel ditor ka qenë rreth 278.800, që nga paralajmërimi i tyre më 21 prill, transmeton KosovaPress.

Kjo do të thotë se gjiganti nga Koreja Jugore ka shitur 19,8 milionë telefona në periudhën prill-qershor.

Muajin e kaluar kishte raportime për ngadalësim të shitjes së telefonave Galaxy S8, por Samsung shpejt ka hedhur poshtë këto pohime, duke bërë të ditur se  shitja është për 15 për qind më e madhe se sa ajo që tregonin rezultatet.

Po ashtu, gjatë konferencës në korrik, Samsung njoftoi se shitja e Galaxy S8 është dyfish më e mirë se sa ajo që kishte S7 në disa tregje.