Sefer Tahiri: Do të ketë zgjedhje të reja në Maqedoni (VIDEO)

Të gjitha veprimet e fundit të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së çojnë deri në një pistë, ajo është krijimi i ambientit të mundshëm politik, për organizimin e  zgjedhjeve të parakohshme. Ky është vlerësimi i analistit politik Sefer Tahiri, sa i përket asaj se cili opsion është më i mundshëm, pas dështimit të tentimit të parë për formimin e Qeverisë. Ai tha se gjasat janë shumë të vogla që presidenti Ivanov t’ia japë mandatin LSDM-së, pasi sipas tij, partitë të cilat deri më tani ishin në pushtet, po përgatisin një skenar I cili mendojnë se do t’u përshtatet atyre, ai  tha se opozita duhet të jetë e vetëdijshme se po përgatiten skenare të tilla, dhe e njejta të realizojë dialog politik me VMRO-në dhe BDI-në, me qëllim që ata të organizojnë zgjedhje, në kushte të cilat do t’I përshtaten edhe pozitës edhe opozitës.

“Mes dy partive politike VMRO-DPMNE dhe BDI meqë është krijuar ta themi kushtimisht një lloj tensioni ndëretnik sa i përket temave politike, sa u përket temave që kanë të bëjnë me statusin e shqiptarëve, megjithatë unë vlerësoj se pavarësisht dëshirës dhe pavarësisht mendimit të këtyre dy partive, do të ketë garim mbi baza etnike, pra garim zgjedhor, i cili do të bazohet mbi baza etnike. Dhe së këndejmi këto dy parti meqë  janë bartëse të këtyre proceseve apo të këtyre ideve, qoftë në aspektin promovues apo deklarativ, unë prapë jam i mendimit se këto zgjedhje nuk do t’u konvenojnë“, ka deklaruar analisti poliitk Sefer Tahiri.

Ndërkaq, sipas Petrit Saraçinit, në tavolinë vazhdojnë të mbeten  të gjitha variantet e mundshme, përveç variantit që kryeministër i Qeverisë të jetë Nikolla Gruevski, për të cilin ai vlerëson që nuk do të ketë mundësi që të kthehet më në tavolinë. Saraçini tha se Qeveria më e mundshme, do të jetë Qeveria teknike, në të cilën do të futen një korpus më i gjerë i partive politike. Sipas tij, varianti i dytë i mundshëm është që të kemi Qeveri politike ku do të futen partitë shqiptare së bashku me LSDM-në.

“Roli i Ivanovit, nuk është edhe aq i rëndësishëm sa që është e rëndësishme arritja e marrëveshjes përmes partive shqiptare, BDI-së që ka numër më të madh të mandateve, por edhe partive tjera dhe LSDM-së. Nëse arrihet ajo marrëveshje, nëse zgjidhet kryetari I parlamentit, atëherë roli I Ivanovit mbetet një rol teknik”, u shpreh Petrit Saraçini, analist politik.

Edhe Saraçini vlerëson se janë të mundshme zgjedhje të reja, megjithatë  sipas tij, ky opsion është më pak i mundshëm se dy opsionet e para.

Sponsored by Revcontent

TRENDING NOW