Sefer Tahiri : Pak histori politike

Pak histori politike

Sefer Tahiri

1991- formohet qeveri teknike, në të cilën marrin pjesë ministra shqiptarë

1992- Lubço Georgievski dhe VMRO nuk deshën tu japin dy ministra PPD-së. Pastaj PPD kishte më shumë ministra. Nuk u nda Maqedonia. Maqedonasit nuk humbën asgjë.

1997- u bënë thirrje “Dhoma gazi për shqiptarët” nga drejtuesit e sotëm të VMRO. liderë të atëhershëm të studentëve dhe shkollarëve të mesëm. Akademia Pedagogjike u legalizua në Fakultet Pedagogjik. Nuk u nda Maqedonia. Maqedonasit nuk humbën asgjë.

2001- U themelua Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë. Nuk u nda Maqedonia. Maqedonasit nuk humbën asgjë. Përkundrazi, shumë maqedonas studiojnë në këto 15 vite në këtë universitet me renome. Nga viti 2008 ligjëroj paralelisht në shqip dhe në maqedonisht në këtë universitet dhe sipas mundësive të mia, kam tentuar që përvojën time tua transmetoj studentëve të të gjitha etnive.

2001-Abdurrahman Aliti u propozua për kryetar të Kuvendit. Do të zgjidhej sikur për të të votonin të gjithë deputetët shqiptarë. Nuk do të ishte çudi, ndërsa shqiptarët dhe maqedonasit do të jepnin bënin një hap të ri cilësor sa i përket institucioneve multi-etnike.

2001- Ndodhi konflikti, u arrit Marrëveshja e Ohrit. Erdhi deri te ndryshimi i Kushtetutës dhe shumë ligjeve. Nuk u nda Maqedonia. Shqiptarët dhe maqedonasit fituan paqe dhe stabilitet.

2002- Debat i madh se kush do të bëhet nënkryetar i Kuvendit. Vallë do të jetë ndonjë komandant i ish UÇK-së. U bë Hysni Shaqiri, pastaj gjenerali i ish UÇK-së, Gëzim Ostreni dhe në fund komandant Mesuesi- Rafis Aliti.

2004- U bë ndarja e re territoriale. Disa politikanë dhe intelektualë brohoritën “Po ndahet Maqedonia, ky është federalizim”. Nuk ndodhi as njëra e as tjetra.

2004- U zyrtarizua Universiteti i Tetovës. Madje u emërtua shtetëror! Shumë maqedonas, veçanërisht nga Tetova studiojnë në këtë universitet. “Branitellat” studiojnë pa pagesë!

2008- U votua Ligji i gjuhëve. Gjuha shqipe fitoi statusin e gjuhës zyrtare (edhe pse me kufizime). Nuk ndodhi çudia. Maqedonasit nuk humbën asgjë, shqiptarët fituan një të drejtë natyrore, fundamentale.

2011- Ministër i Mbrojtjes u bë Fatmir Besimi, thuhej se me Mbrojtjen nuk mund të drejtojë një ministër i cili ka qenë pjesëtar i ish UÇK-së. Por në 2013 u bë Talat Xhafer- Komandant Forina.

2017- do të arrihet marrëveshje për qeverinë e re. Shqiptarët do t’i kenë drejtat e tyre. Maqedonasit nuk do të humbin asgjë. Maqedonia nuk do të ndahet. Do të jetojmë në paqe dhe mirëqenie. Kuptohet, nëse duam!