Seks në këmbim të karrierës, pushohet nga puna producenti më i madh i Hollywood

Harvey Weinstein, producent fitues i çmimit Oskar, i akuzuar për ngacmim seksual të punonjësve femra është shkarkuar nga puna nga bordi i kompanisë së tij.
Ai është një nga prodhuesit më të mëdhenj të Hollywood dhe ishte pas filmave të tillë si Shakespeare in Love, The King’s Speech dhe Pulp Fiction.
Drejtorët e kompanisë Weinstein Company thanë se në dritën e informacioneve të reja rreth sjelljes së keqe të tij, Harvey është shkarkuar nga puna dhe ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Largimi i tij i menjëhershëm vjen pasi New York Times publikoi një raport javën e kaluar në lidhje me akuzat që janë bërë ndaj producentiti për ngacmime seksuale që daton në 3 dekada.
Akuzat kundër tij kanë ardhur nga vajza të reja që shpresonin të ishin pjesë e industrisë së filmit duke përfshirë dhe aktore të famshme si Ashley Judd dhe Rose McGowan.
Ndër akuzat e ngritura ishte që producenti i filmit i detyronte femrat që ta masazhonin dhe ta shikonin të zhveshur. Në këmbim të favoreve seksuale, ai i premtonte se do ti ndihmonte të kishin një karrierë të sukseshme.
65-vjeçari, i cili është një nga burrat më të fuqishëm në Hollywood pasi është bashkëthemelues i firmave Miramax dhe Weinstein Company, fillimisht ka kërkuar falje për mënyrën se si ishte sjellë me kolegët në të shkuarën duke u shprehur se kishte planifikuar që të merrte një pushim të përkohshëm. Por më vonë kontestoi raportin e 8 marrëveshjeve ligjore dhe u shpreh se do ta çojë çështjen në gjyq.
Presidenti i Amerikës Donald Trump tha të shtunën se nuk ishte aspak i befasur nga zbulimet rreth Weinstein, një mbështetës i madh i kandidatëve demokratë, duke harruar skandalin me të cilin u përball vetë vitin e shkuar kur u shfaq në një video duke përdorur një fjalor të turpshëm ndërsa përshkruante se si ngacmonte femrat.
Weinstein, i cili është i martuar me stilistin e modës angleze, Georgina Chapman, formoi shtëpinë e prodhimit Miramax në fund të viteve 1970 me vëllain e tij dhe më pas ia shiti atë Disney.