Sekuestrohet rekord droge në Itali, në pranga dhe një shqiptar

Policia italiane ka sekuestruar 2.3 ton marijuanë në portin e San Benedettos dhe ka vënë në pranga një shqiptar 24-vjeçar dhe një shtetas italian 63 vjeç.

Gomonia që transportoi drogën ka mundur të shkarkojë sasinë e lëndës narkotike dhe është larguar në ujërat detare mes Kroacisë dhe Malit të Zi duke i shpëtuar Guardia di Finanza.

Lënda narkotike u sekuestrua në afërsi të bregut në këtë zonë bashkë me 625 litra benzinë ndërsa të arrestuarit ndodheshin në një furgon gati për të transportuar lëndën narkotike. Hetimet për trafikun e lëndëve narkotike vijojnë mes Italisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Policia sqaron se vendi ynë përveç shkëmbimit intensiv të informacioneve me policinë italiane dhe GdF, nuk ka elementë që e lidhin këtë rast trafikimi me vendin tonë. Gomonia ka mundur t’i shpëtojë ndjekjes që ka zgjatur disa orë derisa ka humbur gjurmët në ujërat mes Kroacisë dhe Malit të Zi. Vijon kontrolli në det për gjetien e gomones dhe arrestimin e trafikantëve.