Sela: As Gruevski as Zaevi nuk do ta udhëheqin Qeverinë e Maqedonisë

Analisti politik Ylber Sela ka thënë se në Maqedoni shqiptarët nuk duhet të kenë preferenca të tyre aktualisht, pasi situata e tanishme është ende e paqartë.

Këto deklarime ligjëruesi universitar i bëri në Info Magazine të Klan Kosovës, duke shtuar se presidenti i tanishëm në Maqedoni është partiak, por as Gruevski as Zaev nuk do të udhëheqin me Qeverinë e Maqedonisë.

”Situata është ende e paqartë. Duhet më tepër të japim qasje se si duhet të vazhdohet më tutje”.

”Kushtetuta nuk ka kufizime për këto situata. Nëse shkojmë tek logjika parlamentare mund të shkohet tek partia e dytë. Mandati i jepet partisë – apo partive – që kanë shumicën e deputetëve”.

Sela tha se Gruevski bëri histori duke shkuar në një rrugë pa kthim, pasi edhe ndërkombëtarët kërkuan që personat me afera korruptive të mos jenë pjesë e Qeverisë.

”Ka qenë e ditur që Gruevski nuk do të jetë më Kryeministër i Maqedonisë. Gjatë kohës sa ka qenë në këtë pozitë kanë ndodhë shumë gjëra sidomos për shqiptarët. Edhe ndërkombëtarët e thanë të gjithë njerëzit që janë përfshirë në afera korruptive nuk duhet të vazhdojnë tutje me mandat në Qeveri”.

”Më në fund shqiptarët mund të kenë një platformë ku do të mund të reflektohet. Të kërkohet vazhdimi i punës së Prokurorisë Speciale si dhe gjuha shqipe të shndërrohet në gjuhë zyrtare”.

”Nëfakt, vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale duhet ta kërkojnë të gjitha partitë sepse është kërkesë e faktorit ndërkombëtar. Gjithësesi duhet të vazhdojë ndërtimi i kursit euroatlantik”.

Analisti Sela tregoi disa arsye pse shqiptarët nuk e zgjodhën Gruevskin ndonëse tha që të gjitha kërkesat që ka platforma shqiptare janë në përputhje me kushtetutën maqedonase.

“Zaev e ngriti çështjen e gjuhës gjatë fushtatës zgjedhore, ndërsa VRMO pati një anim të skajshëm. Kjo bëri që shumica e shqiptarëve të mos e duan Gruevskin, mirëpo shqiptarët nuk duhet të kenë preferenca”.

”Në tavolinë i kemi disa opcione, mes tyre edhe atë të dorëheqjes së Presidentit Ivanov, i cili është president partiak. Eshtë e domosdoshme që të dy partitë maqedonase të ulen me shqiptarët dhe ta pranojnë platformën e tyre për t’i arritur normat kushtetuese në mënyrë që mandatimi të dërgohet tek presidenti. Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme mund të vijnë skena të tjera. Të gjitha kërkesat që ka platforma shqiptare janë konform kushtetutës”.

Sipas Selës, BDI është më afër me Aleancën sesa me Besën.

“Partitë politike shqiptare në të shumtën e kohës janë treguar të matura. Shqiptarët me platformën e tyre nuk kërkojnë ndarje apo diçka që është kundër-kushtetuese. Tashmë është momenti historik për dy partitë maqedonase. Ciladoqoftë parti që do t’i pranojë kërkesat e shqiptarëve duhet të krijojë kësisoj bazamentin e saj reformues. Parimisht, shqiptarët duhet të kenë negociatorë të aftë, kurse pala maqedonase duhet të reflektojë”.

“Ne shqiptarët e kemi bërë kompromisin e madh në Maqedoni dhe tashmë tjetërkujt i mbetet të reflektojë”.

“Shteti i Maqedonisë përfundimisht duhet të orientohet drejt strukturave euroatlantike. Por, duhet të thuhet se Nikola Gruevski ishte ai i cili erdhi në pushtet me nacionalizëm. VMRO-ja duhet të reformohet që në të ardhmen Qeveria e Maqedonisë të mos ketë pjesëtarë që kanë qenë të përfshirë në afera korruptive. Duhet t’i ringrisim institucionet ngase janë të kapura”.

“Maqedonisë i duhen institucione stabile demokratike”, ka përfunduar Sela në Info Magazine, njofton Klan Kosova.