Sela dhe Kasami kategorikisht kundër qeverisë me Gruevskin, Ahmeti vazhdon të heshtë

Deklaratat e fundit të liderit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevskit për partitë shqiptare nuk paraqesin risi. Sipas tyre, bindjet e VMRO-DPMNE-së kundër gjuhës shqipe, platformës së përbashkët të partive shqiptare dhe mandatit të PSP-së, janë thjeshtë mekanizëm i VMRO-së për të thelluar krizën nëse nuk arrin të formojë shumicën. Sipas Lëvizjes Besa, të drejtuar nga Bilall Kasami, Gruevski e ka të vështirë të largojë antishqiptarizmin e tij, raporton Alsat-M.

“Deklaratat e Nikolla Gruevskit nuk paraqesin asnjë risi. Ai të njëjtat është duke i thënë për vite me radhë. Kjo korrespondon me atë që ne e kemi thënë më herët që nuk pranojmë të fillojmë bisedime me VMRO-në derisa udhëhiqet nga kjo kryesi. Porositë e Gruevskit janë shumë të qarta që nuk do të pranojë asnjë pikë që është në interes të shqiptarëve”, deklaroi Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Nga ana tjetër Aleanca për Shqiptarët, e drejtuar nga lideri i LR-PDSH-së Ziadin Sela, deklaratat e Gruevskit i quan thjesht retorikë antishqiptare, duke theksuar se shqiptarët nuk presin as nga Gruevski dha as nga dikush tjetër t’u japë të drejta, por do t’i realizojnë vetë me vullnet politik.

“Mendojmë se është e tepërt të komentohet deklarata e një njeriu që ka dëshmuar veten në formën më të keqe të mundshme si antishqiptar. Këta njerëz akoma si duket nuk e kuptojnë që ata që flasin për nevojat e shqiptarëve janë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve. Koha kur politikanë të mendësisë së Nikolla Gruevskit gatuanin të drejta për shqiptarët sipas interesave të tyre ka përfunduar”, kanë thënë nga Aleanca për Shqiptarët.

Partneri i deritanishëm i VMRO-DPMNE-së, BDI nuk komentoi deklaratat e Gruevskit. Alsat M tentoi të marrë qëndrim partiak, por nga qendra për informim kanë thënë se do të presin daljen publike të kreut të kësaj partie Ali Ahmeti.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili sot mori mandatin nga presidenti Gjorge Ivanov për të formuar qwevrinë, tashmë disa ditë është në qendër të vëmendjes me deklarata e tij në mediat në gjuhën maqedonase. Së fundi për gazetën “Dnevnik” Gruevski shprehet kategorikisht kundër gjuhës shqipe, platformës së përbashkët të partive shqiptare si kundër mandatit të PSP-së.

“Shqiptarëve në Maqedoni nuk do t’u ndihmojë dygjuhësia në të gjithë territorin, përfshirë Dellçevë e Berovë, Gjevgjeli e Kavadar. Atyre do t’u ndihmojë fakti nëse në katër vitet e ardhshme do të hapen 100 ose 150 fabrika të reja. Përzierja e disa politikanëve dhe diplomatëve të huaj në tregim, janë pjesë e operacionit të udhëhequr nga një qendër (Fondacioni Shoqëri e Hapur). Shihet nga aeroplani që Punojnë nën sugjerimet e disa ambasadave dhe është e qartë se dikujt nga jashtë i duhet PSP me qëllim që në Maqedoni të vazhdojë kriza”, ka deklaruar për “Dnevnik” Gruevski.

Ai u shpreh i prerë se VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë vazhdimin e mandatit të PSP-së, aq më tepër nismën për ndryshime në ligjin për dëshmitarët, gjë për të cilën angazhohen partitë shqiptare në platformën e përbashkët./Alsat/