Sela komenton takimin me Bilall Kasamin

Lideri  i partisë Lëvizja për Reforma PDSH, Ziadin Sela thotë që në takimin me liderin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka kërkuar që të vihet në funksion Tryeza e Partive politike shqiptare.

“Ne jemi shumë të interesuar të funksionojë, si organ që nuk ka të bëjë me numra dhe kalkulime qeverisëse por ka të bëjë me platformë dhe përgatitje strategjie për veprim politik në të mirë të shqiptarëve. Ky është koncepti jonë, në këtë frymë ka qenë edhe iniciativa që unë e mora që ta takoj kryetarin e Lëvizjes Besa.” thotë Sela për Portalb.

Si e keni menduar të funksionojë Tryeza dhe kur?

“Natyrisht që kjo Tryeza kërkon përgatitje të rregullores të funksionimit, në Deklaratën e përbashkët qëndron që thirret me rrotacion dhe natyrisht që kjo ide duhet të plotësohet edhe me detaje të tjera sepse e shoh shumë të rëndësishme që kjo të funksionojnë për sa kohë ekziston dhe politik-bërja shqiptare në Maqedoni. Kjo nuk është çështje ditësh por duhet më shumë kohë,” theksoi ai.

 

 

A caktuat afat apo takime të radhës?

 

“Takime do të ketë në vazhdimësi, pasi që është me rotacion duhet që ata të thërrasin pasi që BDI e thirri të parën, ose nëse më lejojnë do ta thërras unë. Por meqë kanë më tepër mandate mendoj që duhet ta thërrasin ata. Por gjithsesi unë nuk e kam problem ta thërras takimin e radhës. Mënyrën e funksionimit nuk mund ta thërras unë por do të jetë marrëveshje e të gjithëve,” shtoi Sela.