Sela: Mandati nuk do të thotë edhe formim të Qeverisë

Image processed by CodeCarvings Piczard ### FREE Community Edition ### on 2017-01-30 08:09:22Z | http://piczard.com | http://codecarvings.com

Pas takimit në Shkup me ministrin britanik për Evropë dhe Amerikë, Alen Dankanin, kryetari i LR-PDSH-së Ziadin Sela tha për mediat se gjatë këtij takimi, kanë folur për sfidat aktuale nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo më kryesorja për të cilën kanë biseduan me ministrin Dankan, Sela tha se ka qenë formimi i një Qeverie stabile, sepse gjithçka tjetër, siç u shpreh ai, do të thotë anarki për vendin. “Biseduam për situatën politike, për sfidat në të cilën përballen shteti dhe institucionet e shtetit, biseduam për e ardhmërinë dhe prosperitetin e qytetarëve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë pa dallim. Në këtë rast, është me rëndësi që të formohet Qeveri stabile, sepse gjithçka tjetër do të thotë anarki për vendin”, tha Sela. Në pyetjen se a do të formohet shpejt Qeveria, Sela tha shkurt se “nuk jam mandatar për të formuar Qeverinë”. Por gjatë insistimit të gazetarëve që të thotë më shumë në këtë drejtim, duke i përmendur deklaratën e fundit të Zorna Zaev se brenda dy javësh do të formohet Qeveria e re, Sela u shpreh se “ndoshta po”. Ai apeloi publikisht për dhënien e shpejtë të mandatit, që sipas tij, do të mundësojë nisjen e negociatave për ndarjen ne pushtetit. “Unë shpresoj dhe apeloj që sa më shpejtë të jepet mandati në mënyrë që të nisin negociatat për formimin e Qeverisë”, tha kryetari i LR-PDSH-së. Në lidhje më nënshkrimet, Sela nuk precizoi kohën se kur do ti japin, po vetëm konfirmoi se Zaevi i ka të sigurta ato. Por, sipas Selës, dhënia e nënshkrimeve nuk do të thotë edhe formim të Qeverisë. “Çka kemi thënë nuk e tërheqim fjalën, por kjo nuk do të thotë formim Qeverie, njëherë duhet të bisedojmë për Platformat tona politike. Qeveri nuk do të ketë pa gjuhë shqipe si gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase”, tha Sela. Në pyetjen se në cilat dikastere qeveritare e sheh interesin për të realizuar premtimin partiak, Sela u përgjigj se buxhet me prerje lokale nuk do të thotë vetëm poste qeveritare, por do të thotë ajo që qytetarëve tu kthehen tatimet përmes investimeve qeveritare. “Buxhet me prerje lokale nuk do të thotë marrjen ministrisë për Pushtet Lokal, por do të thotë interes për qytetarin se aty ku e paguan tatimin, aty ta shohin investimin”, theksoi Sela. (koha.mk)