Serbia krahason Kataloninë me Kosovën, mbështet Spanjën

Përderisa disa figura evropiane e botërore kanë dënuar dhunën e ushtruar sot nga policia e Spanjës ndaj votuesve në Barcelonë dhe në qytetet e tjera katalonase në referendumin e Katalonisë për pavarësi, të tjerët, e veçmas ata në shtetet e të cilëve ekzistojnë lëvizje separatiste, janë shprehur në mënyrë më të kujdesshme.

Edhe Serbia ka dalë me qëndrimin e saj pas trazirave të sotme në Kataloni, ku u mbajt referendumi për pavarësinë ose jo të rajonit nga Spanja. Gjithsej 761 njerëz janë lënduar, teksa policia spanjolle ka përdorur forcën në përpjekje për të penguar votimin në referendum.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se vendi i tij mbështet qëndrimin zyrtar të Spanjës karshi referendumit katalanas, që ishte cilësuar i paligjshëm nga Gjykata Kushetuese e vendit.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe parimor, Spanja është një prej miqve më të mëdhenj të Serbisë”, ka thënë Daçiq.

“Madridi ka të njëjtin qëndrim rreth integritetit territorial të Serbisë”, ka theksuar Daçiq.

Kryediplomati serb ka krahasuar Kataloninë me Kosovën, të cilën ajo vazhdon të shohë si territor të saj, dhe pavarësinë e të cilës këmbëngul se nuk do ta njohë kurrë.

As qeveria spanjolle nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kryesisht nga frika se do t’i legjitimonte në njëfarë mënyre tendencat separatiste në vendin e vet nëse do ta bënte një gjë të tillë.