SERVER: DIALOGU DO TË SJELLË NJOHJEN E KOSOVËS

Analisti ndërkombëtar i politikave Daniel Server thotë se dialogu në  mes të Prishtinës dhe Beogradit duhet të sjellë rezultate të balancuara për të dyja palët gjë që ka ndodh edhe me vende të tjera në të kaluarën.

Ai ka thënë se në të dyja anët sa i përket dialogut ka mjaft ndjenja të forta dhe nuk është reale të priten rezultate shumë të shpejta.

“Mendoj se në Kosovë aktualisht po ballafaqoheni me shumë çështje të vështira siç është marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe e cila është e vështirë sidomos për palën e Prishtinës. Ka gjëra të tjera që janë të vështira në anën e Beogradit. Rezultati duhet të jetë i balancuar në mënyrë të arsyeshme”, tha Server për RTK-në.

Të qenit pro dialogut sipas Server e nënkupton mbështetjen e shtetit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Sipas këndvështrimit tim nëse jeni patriot kosovarë atëherë e mbështesni dialogun dhe nëse doni që të shkrihet Kosova në një shtet siç është Shqipëria atëherë mund të jeni kundër dialogut. Fatmirësisht shumica e kosovarëve e mbështesin shtetësinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës ashtu siç e mbështes edhe unë”, theksoi ai. /Insajderi.com