Shaban Zendeli: BESA është konsinstente në qëndrimet e saj

Organizimi i tryezës së përbashkët të partive shqiptare është shndërruar në njërën nga pikat më të nxehta të platformës shqiptare. BDI-ja këmbëngul se radhën për thirrjen e tryezës e ka Lëvizja Besa. Kjo e fundit shprehet e prerë se në kohën kur ende nuk është formuar shumica parlamentare, thirrja e tryezës është e panevojshme.

“Në deklaratë thuhet se duhet të funksionojë edhe tryeza e përbashkët që do ta kontrollojë funksionimin e kësaj deklarate. Tani kemi situatën kur ende nuk ka filluar procesi as i negocimit, kemi situatën e konstituimit të parlamentit pa e përmbyllur edhe seancën e parë kur do të zgjidhen organet e parlamentit. Ne tash nuk e shohim përse duhet të mblidhet tryeza për çfarë do të debatojë ..ku është qëllimi? – u shpreh Shaban Zendeli, BESA.

Tutje Zendeli ka thënë se BESA është parimore dhe konsinstente në qëndrimet e saj, si para dhe pas zgjedhjeve.

Por BDI-ja e ka akuzuar lëvizjen Besa sa i shmanget përgjegjësisë duke mos thirrur tryezën. Madje nga partia e Ahmetit kushtëzuan lëvizjen BESA me inicimin e një takimi të liderëve shqiptarë në mënyrë që të mund t’ia prezantojnë materialet e pranuara nga LSDM-ja.

Takimi i përbashkët u mbajt një me ftesë të BDI-së dhe në bazë të deklaratës i takon partisë së dytë për nga numri i mandatave për ta bërë një ftesë të tillë. Ne për momentin inkurajojmë lëvizjen Besa që ta ftojë tryezën që të mund ta paraqesim, lëvizja Besa të mos i bishtojë përgjegjësisë – tha Nora Aliti, BDI.

Ndërkohë Aleanca për shqiptarët edhe pse ditë më parë realizoi takim me BDI-në pikërisht rreth projekt ligjit për gjuhën shqipe të dorëzuar nga LSDM-ja, insistojnë se ulja në tryezë e liderëve është domosdoshmëri.

Ai material sipas informacioneve që janë në media është material voluminoz dhe aty nuk mund që me një të lexuar të konstatosh kjo pikë qenka e mirë, kjo nuk qenka, do pak a shumë koordinim dhe unë nuk dua të tingëllojë se funksionojmë si koalicion me BDI-në apo jo, e vërteta e gjithë këtij procesi është se deklarata e përbashkët që u bë me ndërmjetësim të Tiranës Zyrtare dhe subjektet politike shqiptare parlamentare do të duhet ta zbatojnë atë rregull që u vendos në Tiranë, pikë – deklaroi Zulfi Adili, Aleanca për shqiptarët.

Ndryshe nga BDI-ja e cila kërkoi projekt ligje për zyrtarizimin e plotë të shqipes nga partitë maqedonase, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se ligjin për gjuhën shqipe duhet ta hartojnë subjektet shqiptare.