SHBA, gjatë Krishtlindjeve mund të ketë sulme nga ekstremistët

Autoritetet amerikane mbrëmë kanë tërhequr vërejtjen se gjatë festës së Krishtlindjeve mund të ketë sulme terroriste brenda Shteteve të Bashkuara dhe jashtë tyre.

Departamenti amerikan i shtetit ka tërhequr vërejtjen për sulme të mundshme ë Egjipt dhe Jordani, ku grupet ekstremiste islamike aktualisht i kanë ndërmarrë disa sulme vdekjeprurëse dhe se në shënjestër të militantëve në mënyrë specifike janë shtetasit e vendeve perëndimore.

Njëherësh, agjencia amerikane FBI u ka thënë autoriteteve për zbatim të ligjit dhe shtetasve në gjithë vendin, se ata duhet të kenë kujdes të shtuar pasi simpatizuesit e Shtetit Islamik (IS), e kanë publikuar një listë me kishat e Shteteve të Bashkuara dhe kanë bërë thirrje për sulme kundër kishave dhe objekteve e hapësirave të tjera të “tubimeve për festa”.

Lista e kishave të Shteteve të Bashkuara ishte postuar në faqet e mediave sociale të militantëve, disa ditë pasi një simpatizues i grupit ekstremist, Shteti Islamik, me një kamion e sulmoi Tregun e Krishtlindjeve në Berlin, me ç’rast i vrau 12 vetë./REL/