SHBA mbyll Ambasadën dhe Konsullatat në Turqi

Pak orë pas vrasjes së ambasadorit rus në Ankara, një tjetër përfaqësi diplomatike është vënë në shënjestër të një sulmi të armatosur në kryeqytetin turk.

Një person ka qëlluar disa herë me armë zjarri drejt Ambasadës Amerikane në orët e para të mëngjesit të së martës. Sipas raportimeve të mediave turke, agresori është neutralizuar me shpejtësi, ndërkohë që raportohet se të shtënat janë shoqëruar me thirrjet “Betohem në Zot që ju nuk do të luani më me ne!”.

Menjëherë pas këtij incidenti, përfaqësitë diplomatike amerikane në Turqi, Ambasada në Ankara dhe dy konsullatat, ajo e Stambollit dhe ajo e Adanas njoftuan mbylljen e tyre për datën 20 dhjetor.

Autoritetet turke thonë se po hetojnë rastin, ndërkohër që mbeten të paqarta shkaqet dhe autorësia e tij.

Sulmi mbërriti pas vrasjes së ambasadorit rus në Ankara, Andrey Karlov. Karlov u qëllua 8 herë me pistoletë gjatë fjalës që po mbante në një ekspozitë arti pamor të titulluar “Rusia në sytë e turqëve” në Ankara.