SHBA mund të vendosë ndalimin e laptopave në të gjitha fluturimet

 

Për shkak të rrezikut nga sulmet terroriste, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump mund të zgjerojë ndalimin e bartjes së laptopave në të gjitha fluturimet ndërkombëtare drejt SHBA-ve dhe jashtë saj.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri amerikan për Siguri të Brendshme John Kelly në një intervistë për Fox News Sunday.

Vendimi fillimisht ishte marrë në muajin mars dhe tash zbatohet në rreth 50 fluturime në ditë për udhëtarët, të cilët vijnë në SHBA nga Jordania, Egjipti, Turqia, Arabia Saudite, EBA, Kuvajti, Maroku dhe Katari.

Ndalimi ka të bëjë me pajisjet elektronike më të mëdha se sa telefonat mobil, si tabletët, DVD Player, laptopat dhe kamerat

I pyetur nëse është i mundshëm zgjerimi i këtij ndalimi në të gjitha fluturimet ndërkombëtare drejt SHBA-ve dhe jashtë saj, Kelly tha se një gjë e tillë mund të ndodhë, transmeton KosovaPress.

Ai nuk ka precizuar se kur mund të miratohet ndalimi i ri.