SHBA shpreh përkushtimin ndaj Kosovës

Sekretari amerikan i shtetit, Rex W. Tillerson, përgëzoi Kosovën me rastin e nëntë vjetorit të pavarësisë duke shprehur përkushtimin për mbështetjen amerikane ndaj saj.

Në një deklaratë të sekretarit Tillerson thuhet se “Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e saj të fortë me Kosovën të mbështetur në aspiratat e përbashkëta për qëndrueshmëri, paqe dhe përparim për të gjithë qytetarët tanë.

Ne përshëndesim përparimin që populli i Kosovës ka arritur në ngritjen e institucioneve demokratike e shumetnike gjatë nëntë viteve të pavarësisë.

Në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara ishin të kënaqura që panë medaljen e parë olimpike të Kosovës dhe që ekipi i saj kombëtar i futbollit hapi lojërat e para në FIFA. Ne i gëzohemi vazhdimit të arritjeve të Kosovës në punën e saj për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërtimit të marrëdhënieve pozitive më fqinjët e saj dhe botën.

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ndihmuar suksesin e Kosovës dhe do të vazhdojnë të punojnë me udhëheqësit e saj në synimet e paqes dhe përparimit”, thuhet në urimin e sekretarit amerikan të shtetit./VOA/