SHEFAT E ARDHSHËM TË PENTAGONIT DHE CIA-S, TË ASHPËR NDAJ RUSISË

Gjenerali në pension, James Mattis, i emëruar nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump për postin e Sekretarit të Mbrpjtjes, dëshmoi dje gjatë një seance dëgjimore të Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura. Ndërsa Mike Pompeo, i emëruar për postin e drejtorit të CIA-s, dëshmoi në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Zbulimit.

Dëshmitë e të dy të emëruarve ishin krejtësisht të pavarura prej retorikës së përdorur nga zoti Trump gjatë fushatës elektorale.

Që në pyetjet e para, i emëruari për Sekretar Mbrojtjeje, James Mattis, u tha senatorëve se rendi botëror i krijuar dekada më parë po kërcënohet:

“Mendoj se është kërcënimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore; prej Rusisë, grupeve terroriste dhe nga veprimtaria e Kinës në Detin e Kinës Jugore.”

Zoti Mattis tha se kërcënimi kryesor është Rusia, me të cilën SHBA-ja nuk ka patur progres megjithë vite të tëra përpjekjesh angazhimi pozitiv.

“Duhet gjithashtu të pranojmë realitetin e qëllimeve të Rusisë, si dhe se ka gjithnjë e më pak hapësira bashkëpunimi, ndërkohë që po shtohen fushat ku do të na duhet të përballemi me Rusinë.”

Zoti Mattis tha se Rusia po mundohet të shpërbëjë NATO-n, të cilën Presidenti i zgjedhur Trump e ka quajtur të vjetëruar dhe me kosto të lartë.

“Pikëpamja ime është se vendet që kanë aleatë begatojnë. Prandaj, do të kujdesem për marrëdhënien më të fortë të mundshme me NATO-n”, deklaroi zoti Mattis.

Ndërkohë, i emëruari i Presidentit të zgjedhur për të udhëhequr CIA-n, premtoi të ruajë një pamje të kthjellët të Rusisë, megjithë hezitimin e Presidentit të zgjedhur për t’u përplasur me Moskën për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane, njofton Zëri i Amerikës.

“Ky ishte një veprim agresiv i ndërmarrë nga udhëheqja e lartë ruse dhe Amerika ka detyrimin, pjesë të të cilit mbart edhe CIA, për ta mbrojtur këtë informacion”, tha zoti Pompeo.

Ekipit të ri të sigurisë i janë trashëguar dy luftëra kundër ekstremistëve. Zoti Mattis thotë se në Afganistan talebanët kanë zhbërë një pjesë të suksesit të koalicionit.

Ndërsa për sa i përket luftës mbi dy-vjeçare ndaj Shtetit Islamik, ai tha se mund të ketë ndryshime në betejën për marrjen e Raqqa-s, kryeqytetit de facto të grupimit terrorist.

“Duhet rishikuar dhe rigjallëruar strategjia me një plan kohor me agresiv.”

Demokratët mendojnë se zoti Mattis do të jetë një kundërpeshë e fortë ndaj natyrës së paparashikueshme të zotit Trump. /Insajderi.com