Shehapi I kundërpërgjigjet Feratit të LR-PDSH-së

Në lidhje me deklaratën e kandidatit për deputet, Agon Ferati nga LR-PDSH se rreth pronësisë së Kalasë së Tetovës, Behixhudin Shehapi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës dhe ish-drejtor në Qendrën Nacionale të Konserzvimit, jep këtë sqarim:

“Çështja e kishës, e cila ekziston në Kala, është diçka e vjetër.

Në vitin 1989, që para shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe para fillimit të proceseve demokratike, sipas dokumenteve kadastrale, një pjesë e Kalasë i është dhënë në pronësi kishës. Mirëpo, ne kemi vërtetuar me dokumente nga Arkivi i Stambollit se në kala nuk ka ekzistuar asnjëherë kishë, porse ajo është e ndërtuar më 1924. Dmth., Kalaja, me tapi komplet është e Abdyrrahman Pashait nga Tetova, që ka qenë me prejardhje shqiptare.

Më 2005/2007 janë bërë gërmime arkeologjike në Kala por jo në objektin e kishës, ndërsa më 2009 është bërë konzervimi i imaretit ose tryezës së kazermës së dikurshme. Prandaj ne, paralelisht me aktivitetet restaurese në Kalanë e Tetovës, do të inicojmë që ajo t’i kthehet pronarit të vërtetë, ose pasardhësve të familjes së pashallarëve në Tetovë, ose institucionit të vakëfit, gjegjësisht Bashkësisë Islame të RM-së”, thuhet në reagimin e sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.