Shenjtorja shqiptare që i luten serbët

Mendoj që ka ardhur koha për t’i thënë të vërtetat historike të kombit tonë, por e vërteta nganjëherë është edhe e dhimbshme.

Arben LLALLA*

Shqiptarët janë një popull euforik, me ndjenja të forta emocionale dhe tolerant, të cilët nuk janë kujdesur shumë për të shkruar historinë e tyre në përgjithësi. Kanë qenë të huajt ata që kanë shkruar në përgjithësi historinë e popullit shqiptar, dhe është e kuptueshme që këta të huaj të bëjnë shpeshherë edhe shtrembërimet e ngjarjeve historike ose të fshehin të vërtetat e krenarisë të kombit shqiptar.

Arkivat dhe bibliotekat e botës dhe manastiret e vendeve fqinje me Shqipërinë fshehin shumë të dhëna rreth shqiptarëve, ndoshta në këto vende gjenden edhe libra të shkruar në gjuhën shqipe të shek.XI. Si pasojë e këtyre që thamë më lart kemi mungesa të lidhjeve të shumë ngjarjeve, duke krijuar një boshllëk të madh në historinë tonë kombëtare.

Shën Angelina ose Nëna Angelinë që serbët i përkulen dhe i falen me aq dashuri dhe përkushtim është një vajzë shqiptare. Për këtë figurë ne do japim disa të dhëna për t’ia bërë të njohur opinionit se shqiptarët janë një popull vital e me kulturë dhe nga ky popull kanë dalë shumë Shenjtorë që bota e krishtere i respekton dhe përkulet para tyre. Prandaj është më e pëlqyeshme kështu se sa të mbahet në heshtje dhe ky fakt i vërtetë që Shën Angelina e Serbisë është shqiptare me gjak, gjuhë dhe edukatë.

Angelina Komneni-Brankoviç (1440-1520) ishte e bija e princit Gjergj Arianit Komnenit (1383-1462). Gjergj Arianit Komnen Golemi Topia kishte për grua Marinë e cila ishte e bija e Despot Gjin Muzakës. Angjelina Komneni u martua me Despotit serb Stefan Brankoviç (1417-1476), i cili ishte i verbër, ceremonia e kurorëzimit të tyre u bë në qytetin e Shkodrës në Nëntor 1460. Nën mbrojtjen e Skënderbeut çifti i ri qëndroj një vit në Shqipëri ku lindi edhe djali i tyre i parë Georgio Brankoviçi. Më tej me këshillimin të Skënderbeut familja Brankoviç nëpërmjet Lezhës kaluan në Itali pasi Serbia ishte pushtuar nga Turqit. Derisa sa vdiq Despot Stefani jetoj me dhurata bamirësie nga Venediku, Dubroniku dhe Papa. Ai ishte Despot i Serbisë nga viti 1458-1459.

Angelina Komneni nga martesa me Despotin e Serbisë Stefan Brankoviç bëri tre fëmijë, Gjergji – Georgio, Gjoni-Jovanin dhe Marinë. Pas vdekjes së Despot Stefanit në 9 Tetor 1476, Angelina bashkë me fëmijët jetonin në mjerim dhe kështu ajo i shkroi një letër mbretit të Hungarisë Mattias i cili i ftoi për të jetuar në Hungari duke i dhënë titull Despot në Mërgim të Serbisë Georgit më 1486. Në vitin 1496 Georgi u bë murg dhe titullin mbretëror ia la vëllait të tij Gjonit-Jovanit. Georgio u bë Kryepeshkop i Beogradit me emrin Maksim-Maxim në vitin 1508, dhe ishte Argjipeshkv deri sa vdiq më 1516.(Titulli Argjipeshkv i përket kishës katolike dhe jo ortodoks).

Gjon-Jovan Brankoviçi e mori titullin Despot më 1496 dhe e mbajti këtë titull deri sa vdiq më 1502, dhe ishte trashëgimtari i fundit i familjes Brankoviç pasi nuk lanë trashëgimtar të gjinisë mashkullore. Jovan Brankoviçi u martua me Jelenom dhe kishin pesë vajza, pas vdekjes gruaja e tij u martua me Ivanish Berisllaviç duke i dhuruar edhe titullin Despot.

Për përkushtimin dhe devotshmërisë që tregoj Angelina për familjen e saj dhe dashurisë ndaj Zotit, duke ndërtuar manastire për gra, kisha serbe e shpalli atë të Shenjtë. Angelian Komneni e arsimuar dhe e edukuar në familjen prindërore, me dashurinë e saj për bashkëshortin dhe fëmijët qartë tregon shpirtin human të femrës shqiptare. Ajo u martua me një njeri të verbër dhe nuk e braktisi atë kurrë. Kur turqit pushtuan Serbinë, Angelina mori me vete për në Hungari relikat dhe eshtrat e burrit të saj.

Dita e përkushtimit të Shën Angelinës është 30 Korriku, (me kalendari e vjetër 12 Gushti), dita e vdekjes së saj, 1520. Çdo 30 Korrik e tërë Serbia feston për të nderuar dhe kujtuar shqiptaren Angelina Komneni-Brankoviçin. Por Shën Angelina përkujtohet edhe më 10 Dhjetor bashkë me burrin e saj Despot Stefanin. Ajo nderohet si shenjtore nga Kisha Ortodokse Serbe me titullin Shën Angelina, Nënë e Nderuar.

Shumë relika dhe eshtra të familjes Brankoviç ndodhen në Manastirin e Krushedolac, midis tyre edhe krahu i majtë i Nënës së Nderuar Shën Angelinës. Ky manastir që është ndërtuar nga vetë Angelina ndodhet në Vojvodinë afër qytetit Sremit,

Nëse historianët shqiptarë do të ishin marrë pak më shumë rreth Shenjtorëve me origjinë shqiptare që bota i respekton dhe i lutet, atëherë ne sot do i faleshim shenjtorëve shqiptar dhe jo atyre grek e sllavë.

Shënim: Shkrimi ka qëllime historike, ju lutemi mos e keqpërdorni politikisht