Shërbimet sekrete: 40% e familjeve shqiptare mbajnë armë

Dy dekada pas vitit të mbrapsht 1997-të, shqiptarët vijojnë të kenë një numër të lartë armësh zjarri pa leje. Report TV ka siguruar të dhënat nga një raport i Shërbimeve Inteligjente, i cili thotë se rreth 40% e familjeve shqiptarë kanë armë e përkthyer në shifra përafërsisht 4 në 10 familje kanë një armë zjarri. Sipas raportit, armët fshihen kryesisht në banesa por edhe në territorin jashtë shtëpive.

Ky raport thotë se këto armë përdoren gjatë konflikteve, ku shpesh sjellin viktima. Lloji më i shpeshtë i armëve që mbajnë shqiptarët është automatiku, i cili është marrë në depot e armëve që janë hapur në vitin 1997-të. Gjithashtu shqiptarët përdorin edhe çiftet dhe pistoletat, theksohet në raport.

Një pjesë e këtyre armëve janë me leje, por shumica e tyre mbahen në mënyrë të jashtëligjshme të fshehura. Një raport të tillë shërbimet sekrete në vend e kanë bërë edhe në vitin 2012. Në atë kohë flitej për më shumë se 50% të familjeve shqiptare të cilët kishin armë. Konkretisht në vitin 2012, 6 në 10 familje kishin një kallashnikov dhe 3 në 10 familje kishin një pistoletë.

Ndërsa sot bëhet fjalë për 4 në 10 familje të cilët kanë një automatik ose një pistoletë. Kjo është edhe arsyeja që Ministria e Brendshme i ka kërkuar qeverisë që të bëjë një tjetër armnisti për armët. Vendimi është miratuar në qeveri dhe sipas ministrit Sajmir Tahiri shqiptarët kanë afat nga Janari deri në 30 Prill të 2017-s të dorëzojnë armët, pa u dënuar nga ligji. Kjo nuk është hera e parë që bëhet amnisti për armët. Pas vitit 1997-të, shteti u bëri apel shqiptarë që të kthenin armët, por shumë pak prej tyre i dorëzuan ato në polici.