Shikoni transportin publik të shqiptarëve në 1930-n

Transporti automobilistik në Shqipëri vitet ‘20-‘30 të shekullit te kaluar ka qenë tepër i vështirë. Mjaft të mendosh se dhe sot vende-vende është një tmerr udhëtimi, për të imagjinuar se si ka qenë atëherë, ku njeriu duket sikur ka qenë prej hekuri e jo mishi e gjaku.

Megjithatë gjatë Luftës së Parë Botërore u konstruktuan një sërë rrugësh për nevojat operative ushtarake të ushtrive të huaja, por që u përdoren më pas edhe për transport civil. Kjo ndodhi në jug e në veri. Si shkak i këtij zhvillimi, filluan të ngrihen edhe agjencitë e para të udhëtimit që u përgjigjeshin linjave përkatëse. Një nga këto linja që po e shoqërojmë dhe me foto kryesore ishte ajo e Ersekë-Jergucat. Sot ekzistojnë si njëra e si tjetra, por koha është tjetër dhe as që bëhet fjalë që këto dy qendra, njëra qytet e tjetra fshat, të kenë linjë si ahere. Por kush ka udhëtuar drejt Ersekës nga Përmeti, duhet ta imagjinojë se ç’rrugë ferri duhet të ketë qenë ajo, pasi dhe sot e kësaj dite e tillë mbetet.

Dhe ndër agjencitë më të dëgjuara të kohës sa i përket jugut, ishte ajo që funksiononte në Përmet, e themeluar nga vëllezërit Hotova, e që mbulonte pikërisht këto rrugë. Mjetet e para të këtij transporti, që ishin kamionë dhe autobuzë kanë ardhur nga SHBA. Në mjediset e biznesit të tij në Durrës, Lluka Prifti ruan 2 foto që i përkasin një veture dhe autobusi të transportit të mallrave dhe udhëtarëve të asaj periudhe. Ai flet edhe për zhvillimet që mori kjo agjenci me kalimin e kohës, duke mbuluar me transport një rrjet qytetesh të rëndësishme të asaj periudhe. Lluka, i cili është pinjoll i njërit prej 5 vëllezërve Hotova, thotë se xhaxhai i madh i tij, Dhimo Hotova ka qenë disa herë në Amerikë.