SHKAKU I DJEGIES SË XHAMISË NË DRENOC, SIPAS KRYETARIT TË FSHATIT

Kryetari i fshatit Drenoc të Deçanit, Halil Dukaj, ka thënë se beson që shkaqet e djegies së xhamisë së fshatit kanë qenë problemet me energjinë elektrike.

Dukaj ka thënë se para se xhamia të merrte flakë, është ndalur energjia elektrike disa herë në fshat. Ka thënë se problemet kanë nisur nga trafoja e fshatit, e cila ndodhet rreth 30 apo 40 metra larg xhamisë.

“Dikun rreth 21:00 kemi informacione se ka filluar të digjet xhamia. E kemi vërejt se rryma që po ndalet dhe po ndezet. Rryma prej trafos tek xhamia janë dikun 30 deri 40 metra. Ajo linjë e ka pasur atë defekt”, ka thënë Dukaj.

Ai ka konfirmuar se në ato momente nuk ka pasur asnjë person brenda xhamisë.

Dukaj ka thënë se xhamia e fshtatit Drenoc ka qenë njëra ndër xhamitë më të vjetra të rrafshit të Dukagjinit.

Insajderi ka tentuar të kontaktojë me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, mirëpo kontakti me të ka qenë i paarritshëm.

Ndërkaq, zyrtarë në qendrën e thirrjeve të koorporatës energjetike KEDS kanë thënë se nuk janë në dijeni për djegien e xhamisë në Drenoc.