Shkelet marrëveshja – Rinisin sulmet në Alepo

Vetëm disa orë pasi forcat qeveritare lajmëruan se kishin vendosur një armëpushim në qytetin e Alepos, përplasjet e armatosura mes palëve kanë rinisur, duke pezulluar në këtë mënyrë edhe marrëveshjen për evakuimin paqësor të rebelëve.

Mediat fillimisht raportuan për një shpërthim që ishte dëgjuar në qytet, ndërkohë që më pas ka patur edhe shkëmbim zjarri.

Menjëherë pas këtyre përplasjeve zyrtarët nga të dyja palët kanë nisur të shkëmbejnë edhe akuza me njëri-tjetrin.

Rebelët kanë deklaruar se pakti i armëpushimit u prish nga qeveria siriane, ndërkohë që zyrtarët e Rusisë që është një prej aleatëve më të mëdhenj të Presidentit Assad, pretendojnë se marrëveshja është shkelur e para nga grupimet militante.

Moska kishte njoftuar më herët se në vend do të niste procesi i evakuimit të rebelëve që kishin mbetur në qytet pasi forcat qeveritare arritën të merrnin nën kontroll Alepon.

Në zonat më problematike mbërritën dhjetëra autobusë, e megjithatë, procesi u shty për arsye tashmë të kuptueshme.

Rinisja e sulmeve është dënuar menjeherë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ,e cila u ka bërë thirrje palëve që t’i përmbahen marrëveshjes së arritur.