Shkencëtarët zbulojnë moshën më të mirë për t’u bërë nënë

Historikisht, shtatzënia pas moshës 35 vjeç është konsideruar e rrezikshme. Megjithatë, shkenca po zbulon dobi të reja lidhur me shtatzënitë e vona.

Më parë është vërtetuar se të kesh një fëmijë pas moshës 35 vjeç, rrit jetëgjatësinë dhe tashmë një studim i ri i Universitetit të Kalifornisë së Jugut zbulon se të lindësh fëmijë pas moshës 35 vjeç përmirëson aftësitë mendore të nënës.

Si arritën në këtë konkluzion?

Studiuesit kryen disa teste me 830 gra në periudhën pas menopauzës. Pjesëmarrëset në testim u testuan për planifikimin, perceptimin pamor, kujtesën verbale, përqëndrimin dhe vëmendjen. U zbulua se gratë që e kishin lindur fëmijën e parë pas moshës 24 vjeç kishin performancë më të mirë në testet e mprehtësisë mendore, zgjidhjen e problemeve, dhe aftësitë verbale, krahasuar me gratë që ishin bërë nëna mes moshës 15 dhe 24 vjeç. Gratë që kishin patur fëmijën e fundit pas moshës 35 vjeç kishin kujtesë verbale dhe aftësi konjitive më të mira.

Përse bëhen më të mprehta mendërisht?

Lidhet me shtimin e hormoneve – estrogjen dhe progesteron – gjatë shtatzënisë, që është zbuluar se kanë një impakt dobiprurës në kiminë dhe funksionet e trurit, sidomos nëse shtatzënia e fundit ka qenë në një moshë më të vonë.

Të vendosësh kur të kesh një fëmijë nuk është asnjëherë e kollajtë, dhe shtatzënia në çdo moshë ka avantazhe dhe disavantazhe. Në çdo rast, këshilla më e mirë është një konsultë me doktorin. /bota.al