Shkëndija braktis Maqedoninë, transferohet në Antalia të Turqisë (VIDEO)

Shkëndija ka lënë Maqedoninë e ftohtë dhe prej sot ka vijuar përgatitjet dimërore në kushte shumë më ideale në hotelin luksoz “Gloria Sport Arena” në Belek të Antalisë në Turqi.

Skuadra ‘kuqezi’ në orët e mëngjesit me fluturim Shkup-Stamboll-Antalia është vendosur në bazën e rradhës ku do të zhvillohet faza kryesore e kësaj fazë përgatitore para fillimit të gjysmësezonit pranveror.

Trajneri i ri gjerman Tomas Brdariç më në fund ka mundësi të punojë në teren të hapur dhe me kushte ideale, pasi në Tetovë thuajse nuk kishte mundësi për të ushtruar në mënyrën e dëshiruar shkaku i të reshurave të borës dhe temperaturave të ulta.

Pas arritjes dhe vendosjes në orët e pas ditës, shefi i stafit teknik Tomas Brdariç ka nxjerë ekipin në stërvitje që është realizuar në orar mbrëmje dhe me ndriçim të reflektorëve.

Ekipi përveç seancave stërvitore të parapara sipas planprogramit të stafit teknik, në tokën turke do të zhvillojë katër ndeshje kontrolluese me kundërshtar të nivelit të rivalëve që zakonisht ekipi i ka përballë në raundet eliminatore të Kupave Evropiane.