Shkëndija U-19 kampione e Maqedonisë

Shpresat e Shkëndijës nën drejtimin e trajnerit Jeton Beqiri fitojnë titullin e kampionit në kategori të juniorëve. “Kuqezinjtë” fitojnë 3:0 në transfertën me Akademia Pandev në Strumicë, duke siguruar pozitën e parë para Vardarit një javë para fundit të garave. Shkëlqen Shefit Shefiti me dy gola, ndërsa Bajrami realizoi golin e tretë.

Shkëndija U 19 shpallet kampione në Super Ligën e Maqedonisë për juniorë. “Kuqezinjtë” me fitoren 3:0 kundër Akademia Pandevit në Strumicë, kanë ruajtur distancën prej tre pikëve para Vardarit dhe matematikisht sigurojnë titullin pa marrë parasysh epilogun e ndeshjes së fundit me Pelisterin në Tetovë.

Të entuziazmuar pas triumfit bindës 3:0 javën e kaluar në duelin direkt me Vardarin e Shkupit, futbollistët e Jeton Beqirit nisën furishëm edhe ndeshjen e xhiros së 21, duke ditur se fitorja i konfirmon si kampionë të vendit. Shefit Shefiti si në pjesën më të madhe të sezonit edhe kësaj rradhe ishte në qendër të vëmendjes, duke udhëhequr ekipin drejt triumfit me dy realizime.

Pas matjes fillestare të forcave, Shkëndija U 19 hodhi në nok-aut rivalin në harkun kohor prej vetëm tre minutave. Kapiteni Shefiti do shfaqej në skenë në minutën e 35-të duke realizuar për epërsi 0:1.

Vendasit ende pa marrë veten nga goli i parë pranuan edhe të dytin, pasi sërish Shefiti gjen rrjetën e Akademia Pandevit. 0:2 ishte epërsi kapitale pas 45 minutave të para, ndërsa vetëm katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë “kuqezinjtë” zgjodhën dilemat e fituesit.

Ishte Artan Bajrami ai që në minutën e 49-të shënoi për 0:3 që në fund u tregua të jetë epilogu final i takimit. Kështu Shkëndija U 19 shkon në kuotën e 56-të pikëve duke bërë të vetin titullin, ndërsa xhiroja e fundit me Pelisterin në Tetovë do të shërbejë vetëm për të festuar suksesin e madh të kësaj gjenerate.