Shkodra qyteti që ruan me fanatizëm traditën e biçikletës

Dhjetëra të rinj në Shkodër janë bërë pjesë e takimit të qëndrës së BE për të promovuar traditën e qarkullimit me bicikletë. E njohur si dashuria e shkodranëve, po synohet që bicikleta të përdoret gjerësisht edhe nga të rinjtë, pavarësisht hyrjes së teknologjisë.

Në qytetin e Shkodrës tradita për biçikletën ruhet me fanatizëm. Kudo në rrugë, qytetarë të të gjitha moshave i sheh teksa lëvizin me biçikletë, që ndryshe njihet si dashuria e shkodranëve.

Kësaj tradite qendra e Bashkimit Evropian në bashkëpunim me grupimet ambjentaliste në kuadër të Javës Evropiane të Lëvizjes, i kushtoi një takim me të rinjte e shkollave për riparimin e biçikletës.

Kujtim Mesi i ka kushtuar 30 vite të jetës së tij riparimit te biçikletave dhe sot pengu i madh është se të rinjtë kanë shumë pak interes për të ruajtur traditën.

Kujtim Mesi: Unë e trashëgoj tash 36 vjet bashkë me babën. Biçikleta është traditë në Shkodër dhe mbahet si qyteti më i madh i biçikletave në Shqipëri dhe një ndër qytetet më të mëdhaja të Ballkanit. Biçikleta është pasion.

Takimi me të rinjtë u bë në sheshin përpara Kafes së Madhe, që dikur sherbente si pikë takimi për shkodranët, që edhe sot renditin ndër më dashamirësit në përdorimin e biçikletës.