Shkon në 14 numri i viktimave të ortekut, nuk dihet fati i 15 të tjerëve

Një javë nga tragjedia e Hotel Rogopiano në provincën e Peskaras, i cili u godit nga një ortek bore natën e 18 janarit, numri i viktimave të rekuperuar nga gërmadhat ka shkuar në 14, ndërsa 15 persona të tjerë rezultojnë ende të humbur.

Në momentin e tragjedisë në hotel gjendeshin 28 klientë, 4 prej të cilëve fëmijë si dhe 12 punonjës hoteli.

11 persona kanë mundur të nxirren të gjallë nga gërmadhat e t’i mbijetojnë tragjedisë.

Operacionet e shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje në kushtet e një moti ekstrem që prej disa ditësh ka përfshirë të gjithë Italinë.

Gërmohet me lopata e me sonda, pa mundur të operohet me mjete mekanike për shkak të kushteve aktuale të terrenit, e me shpresën se mund të gjejnë nën gërmadha ende të mbijetuar.

Ndërkohë Prokuroria e Peskarës ka nisur hetimin ndaj kësaj ngjarje për të verifikuar arsyet e vonesës së evakuimit të personave që gjëndeshin në këtë hotel, vonesës së mbërritjes se mjeteve për pastrimin e rrugëve, por dhe mbi të gjitha po përpiqet të hidhet dritë mbi  terrenin e papërshtatshëm në të cilin ishte ndërtuar hoteli.