Shoqata Japoneze e Artit nderon artistët më me influencë të vitit

Piktorja amerikane Cindy Sherman, skulptorja franceze Annette Messager, arkitekti brazilian Paulo Mendes da Rocha, muzikanti letonez Gidon Kremer dhe regjisori amerikan Martin Scorcese u shpërblyen me Çmimin prestigjioz japonez Praemium Imperiale. Çmimi u prezantua formalisht nga princi japonez Hitachi, vëllai i perandorit aktual, Akihito. Praemium Imperiale filloi më 1989 dhe akordohet nga Shoqata Japoneze e Artit, e cila nderon artistët që kanë kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin e arteve dhe kulturës. Secili laureat i jepet një shpërblim prej 114.000 dollarësh amerikanë. Kryeministri japonez Shinzo Abe përuroi përzemërsisht të gjithë fituesit për arritjet e tyre, me anë të një video-mesazhi.

Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, e cila ishte e pranishme në këtë ceremoni, përgëzoi të gjthë laureatët, teksa shprehu dëshirën e saj që Lojërat Olimpike të 2020, të përcjellin kulturën dhe artin e Tokios.

“Do të doja t’i bëja lojërat olimpike, sinergjike të sportit dhe artit, për t’i treguar botës kulturën e Edos dhe Tokios, përmes frymëzimit që kemi marrë nga mjeshtrat e artit që janë prezentë këtu.”

Piktorja amerikane Cindy Sherman është e njohur për serinë e saj të fotove që përfshin autoportrete që përshkruajnë skena nga filma të njohur. Imazhet që ajo sjell, provokojnë mendim dhe eksplorojnë tematika që janë njëkohësisht groteske dhe magjepsëse.

Skulptorja franceze Annette Messager, krijon punime nga sende shtëpiake, revista dhe objekte të jetës së saj të përditshme, dhe shpeshherë, thekson kompleksitetet e brendshme të qenies njerëzore teksa kërkon të vërë në pikëpyetje identitetin e femrës.

Arkitekti brazilian, Paulo Mendes da Rocha, i cili nuk ishte prezent në ceremoni, u bë i njohur pasi fitoi konkursin për të dizenjuar palestrën e klubit atletik Paulistano. Godinat e tij theksojnë joshjen natyrore të materialeve të thjeshta që të cilat janë strukturuar të përdorin hapësirën në mënyrë maksimale.

Violinisti letonez, Gidon Kremer, u bë i njohur në moshën 16 vjeç, kur fitoi një konkurs muzikor në Letoni. Ai ka një repertor të gjerë që përfshin klasiken dhe bashkëkohoren – duke performuar dhe promovuar muzikë nga kompozitorë të ish-Bashkimit Sovjetik.

Regjisori i mirënjohur amerikan, Martin Scorcese, i njohur për filmat e tij si ‘Mean Streets’, ‘The Departed’, ‘The Wolf of Wall Street’ etj. përshkroi procesin e qasjes së një tematike të caktuar në filmat e tij.

“Kur më tërheq një temë, duhet të jem komfort me të dhe duhet të kaloj kohë atje, të shpenzoj energji dhe ta shijoj, që do të thotë se vërtet dua ta bëj.”