Shpërndahen dru për skamnorët e Tetovës

Për të tretin vit radhazi Organizata Kulturore Humanitare “Merhamet”, në bashkëpunim me shoqatën turke “IHH”, organizon projektin për shpërndarjen e drunjve, familjeve nevojtare në këto kushte të vështira dimri. Xhihad Husieni nga “Merhamet” tha se projekti do të realizohet në Tetovë dhe rrethinë.
“Edhe pse numri i familjeve nevojtare është shumë i madh dhe çdo ditë vjen dhe shtohet, mirëpo ne jemi munduar që familjet që janë në kushte më të vështira dhe më të nevojshme, t’i përfshijmë ato familje dhe t’i furnizojmë me një sasi të mjaftueshme të drunjve”, tha Xhihad Huseini, nga shoqata “Merhamet”.

Ai tha se “Merhamet”, përpos aksionit për shpërndarjen e drunjve, po ndërmerr edhe aksione tjera siç janë shpërndarja e rrobave për fëmijë dhe shpërndarja e pakove ushqimore, njofton TV Shenja.

“Duke e marrë parasysh se në Tetovë dhe rrethinën e saj kemi shumë familje të cilët kanë nevojë edhe për gjëra elementare posaçërisht në këto ditë të ftohta të dimrit, siç është furnizimi me dru apo me veshmbathjet për fëmijët, gjëja ushqimore, me të vërtet kemi një numër të madh të familjeve të cilët trokasin në dyert tona dhe në dyert e njerëzve human të tjerë”, theksoi Huseini.

Sipas tij,mundësitë e shoqatave çdoherë janë të kufizuara dhe se ata bëjnë përpjekje që tu dalin në ndihmë familjeve që kanë nevojë reale për ndihmë.