Shpërthen Kristiano Ronaldo, tre gola për Realin e Madridit

Në kampionatin spanjoll, Reali i Madridit shënoi një fitore spektakolare dje në transfertë ndaj Deportivo Alavesh, duke fituar me rezultatin e thellë 4-1 dhe duke shkuar në kuotën e 24 pikëve dhe duke mbajtur me meritë kreun e klasifikimit në La Liga spanjolle. Fitorja e djeshme në transfertë vjen në një moment delikat për Realin, i cili ka prej ditësh që kritikohet për lojën aspak të qëndrueshme dhe rezultatet e dyshimta, ku u vu në qendër të kritikave dhe vetë trajneri Zinedin Zidane. Të gjitha këto shqetësime lidheshin me një emër: Kristiano Ronaldon, i cili kishte shumë ndeshje që nuk shënonte dhe me një formë të dobët ishte bërë shënjestër e të gjithëve. Por atëherë kur kritikat kishin kapur kulmin, sulmuesi portugez gjen momentin e duhur për të shpërthyer dhe e bën këtë në një mënyrë demonstrative e me shumë gola. Ndaj Deportivo Alavesh ishte protagonist absolut, pasi shënoi tre nga katër golat e fitores, si dhe humbi një penallti, e cila shërbeu si statistikë, pasi nuk ishte me peshë për fatet e rezultatit dhe nuk vuri në diskutim fitoren e Realit.

Pikërisht CR7 ishte ylli që shkëlqeu më shumë te “Los Blancos” në transfertën me Deportivo Alaveshin, duke zgjidhur pothuajse i vetëm ndeshjen ndaj një kundërshtari që këtë vit kishte mundur në “Camp Nou” Barcelonën dhe në minutat e para krijoi iluzionin e një tjetër suksesi të bujshëm kur arriti të shënojë që në të 7-tën me anë të Dejverson. Festa e vendasve zgjati vetëm 10 minuta, kur Ronaldo mendoi të niste shfaqjen personale, fillimisht duke mos gabuar nga pika e bardhë. Megjithatë Kristiano nuk mund të mjaftohej me vetëm një gol nga penalltia dhe në të 33-tën realizoi pas një aksioni personal i ndihmuar dhe pak nga fati. Me një gjuajtje nga jashtë zone, të devijuar nga një mbrojtës, ai gjen golin e dytë, një gol që i dha siguri ekipit të Zidane për të administruar epërsinë dhe fituar ndeshjen.

Në pjesën e dytë në fushë ishte vetëm Reali dhe në të 79-tën po Ronaldo pati mundësinë për të mbyllur ndeshjen, po nga pika e penalltisë, por këtë herë gaboi. Gjithsesi, shpresat e Alaveshit për një rezultat pozitiv morën fund shpejt pasi në të 84-tën, Alvaro Morata shënoi dhe golin e tretë, përpara se Ronaldo të mbyllte ndeshjen ashtu siç e hapi me golin e katërt për Realin dhe të tretin personal. Një fitore bindëse për “Galaktikët”, të cilët vazhdojnë të ruajnë kështu kreun e klasifikimit në Primera Divizion. Reali mban kreun me 24 pikë, ndjekur nga Atletiko dhe Barcelona. Rivaliteti për titullin, siç shihet, do të jetë i fortë edhe këtë sezon. Mediat spanjolle ia kushtuan faqen e tyre të parë dje pikërisht Kristiano Ronaldos, i cili reflektoi si duhet pas kritikave për një performancë jashtë forme. Dje ishte përgjigja e duhur e portugezit për të gjithë skeptikët.