Shpërthim i fuqishëm në qendër të Athinës, 6 të plagosur në gjendje të rëndë

 

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qendër të Athinës. Shpërthimi ka ndodhur në kuzhinën e fast food-it “Everest” dhe më pas janë shfaqur flakët.

Deri më tani raportohet për 6 të plagosur, mes tyre dhe një grua, gjendja e të cilës është e rëndë. Tre prej të plagosurve ishin klientë.

Fast food “Everest” ndodhet në një prej zonave më të populluara të Athinës, në hyrje të stacionit të metrosë në sheshin Viktoria.

Shpërthimi ka dëmtuar edhe bizneset aty pranë, ndërsa e gjithë zona është mbuluar nga tymi. Forca të shumta zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Sipas vlerësimeve të para, shpërthimi mund të ketë ndodhur gjatë punimeve për instalimin e sistemit të gazit, që po zhvilloheshin në kuzhinën e lokalit në katin e nëndheshëm.