Shpërthim në Irak, mbi 80 të vdekur e dhjetëra të plagosur

Si pasojë e një shpërthimi të ndërmarrë së fundmi në jug të Baghdadit, të paktën 80 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Autoritetet janë shprehur se shumica e viktimave janë besimtarë myslimanë të degës shi’ite.

Sulmi është marrë menjëherë përsipër nga ekstremistët e Shtetit Islamik, të cilët pretendojnë gjithashtu se numri i viktimave është më i lartë, duke nënvizuar se bëhet fjalë për afro 200 viktima.

Megjithatë, diçka e tillë pritet të shihet nëse do të konfirmohet nga zyrtarët irakianë.

Besimtarët myslimanë të degës shi’ite janë sulmuar vazhdimisht në Irak nga luftëtarët e ISIS për shkak se kjo organizatë terroriste mbështet degën sunite.

Në vendin ku ndodhi shpërthimi mbërritën menjëherë forca të shumta sigurie si dhe autoambulanca për të shoqëruar të mbijetuarit në spital.

Ndërkohë, mjekët nuk përjashtojnë as përkeqësimin e mëtejshëm të bilancit të viktimave.