Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi e Maqedoni, memorandum për të parandaluar përmbytjet

Institutet Hidro-meteorologjikë të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës nënshkruan sot në Prizren një Memorandum Mirëkuptimi për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale me qëllim përmirësimin e paralajmërimit të hershëm të popullsisë në rast përmbytjesh.

Ky Memorandum vjen pasi vendet e basenit të lumit Drin, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi janë prekur në mënyrë të vazhdueshme nga përmbytjet gjatë viteve të fundit duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe sociale mbi banorët e këtyre zonave, shkruan ATSH.

Ndryshimet klimatike rrisin shanset për shira të rrëmbyer dhe përmbytje.

Për këtë arsye është e rëndësishme që vendet e këtij baseni të punojnë së bashku për të krijuar sisteme efektive për paralajmërimin dhe menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve.

Në emër të qeverisë gjermane, projekti “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve në Ballkanin Perëndimor”, i zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH po ndihmon institutet hidro-meteorologjike të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës për të shkëmbyer në kohë reale të dhënat hidrometeorologjike, me qëllim përmirësimin e paralajmërimit në kohë të popullsisë në rast përmbytjesh.

Me anë të pajisjeve moderne u kryen matjet e prurjeve të lumit Drin në vendin e quajtur “Gryka e Prizrenit”, dhe këto të dhëna do të shkëmbehen mes vendeve në kohë reale për të pasur një informacion më të detajuar dhe të thelluar mbi situatat e reshjeve apo përmbytjeve.

Drejtori i Agjencisë së Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina në fjalën e tij të mirëseardhjes për të pranishmit u shpreh se ky takim është mjaft i rëndësishëm sepse të gjitha vendet e rajonit janë bashkë dhe ne na duhet të punojmë bashkë. Është e rëndësishme që GIZ na ka bërë bashkë. Ky nuk është fundi i mbështetjes, por fillimi i një projekti që do na mbështesë më mirë”.

“Ne duhet të diskutojmë një ide të re bashkëpunimi. Në Ballkanin Perëndimor tashmë kemi nevojë për pajisje që të kryejmë matje të përbashkëta dhe të punojmë bashkë. Katër vitet e ardhshme synojmë të krijojmë një network rajonal, të shkëmbejmë njohuri, përvoja dhe të diskutojmë problemet tona të përbashkëta. GIZ na ka mbështetur gjithmonë dhe do vijojë ta bëjë këtë”, tha Morina.

Pas dy vitesh përpjekjesh dhe pune të përbashkët drejtuesit e instituteve hidro-meteorologjikë të Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë, përkatësisht z. Fatos Hoxhaj, z. Luka Mitrović, znj.LetafeteLatifi, dhe z. Oliver Romevski nënshkruan në Prizëren një Memorandum Mirëkuptimi mbi shkëmbimin e të dhënave.

Krahas drejtuesve të këtyre instituteve, të pranishëm në aktivitet ishin edhe drejtori i projektit “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike në menaxhimin e rrezikut të përmbytjeve në Ballkanin Perëndimor”, z. Gerrit Bodenbender, koordinatorët e projektit nga vendet e basenit, ekspertë të fushës, etj.

  1. Bodenbender theksoi gjatë fjalës së tij në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të mirëkuptimit se, “Situata e javës së kaluar tregon se ajo çfarë po bëjmë sot është shumë e rëndësishme sepse ka impakt të drejtpërdrejtë mbi njerëzit. Gjithashtu përmbytjet treguan sa të rëndësishme janë institucionet tuaja. Pa punën tuaj të mire i gjithë sistemi i emergjencave civile dhe mbrojtjes nuk mund të funksionojë. Ky bashkëpunim që vendoset sot është një garanci që herën tjetër që do të ndodhin përmbytjet njerëzit do të lajmërohen në kohë dhe për rrjedhojë dëmet ekonomike dhe sociale do të jenë më të vogla”.

Ndërsa krye hidrologu i institutit hidro-meteorologjik të Maqedonisë Vasko Stojov u shpreh se, “Baseni i Drinit është përmbytur gjithmonë në të shkuarën. GIZ së bashku me institucionet hidro-meteorologjike pati idenë për te nisur bashkëpunimin mes vendeve të rajonit. Ekspertët e GIZ projektuan modelet hidrologjike. Institutet treguan vështirësitë që kishin dhe nevojat e tyre si mungesë personeli, instrumente jo moderne, etj. Me ndihmën e GIZ u sollën instrumente të reja, stacionet u modernizuan dhe së bashku u arrit që të shkëmbenim informacion dhe të dhëna mes instituteve tona. Ky sistem bën që të shkëmbehen informacione për situata meteorologjike në çdo moment. Në të ardhmen duhet implementuar një model i ri hidrologjik dhe duhet të ngrihen stacione të reja meteorologjike. Por mbi të gjitha duhen shkëmbyer të dhëna mes vendeve të rajonit.

Drejtori i institutit hidro-meteorologjik të Shqipërisë, Fatos Hoxhaj u shpreh se, “Ky memorandum bën që të këtë më shumë bashkëpunim mes vende të rajonit”. “Por”, shtoi ai, “pa asistencën e GIZ nuk do të arrihej nënshkrimi i këtij memorandum. GIZ gjithashtu na ka asistuar me pajisje në kryerjen e detyrës sonë.

Pas ceremonies së nënshkrimit pjesëmarrësit u mblodhën në një seminar për të ndarë njohuritë dhe përvojat dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm drejt zhvillimit të një modeli parashikues për përmbytjet.

Me mbështetjen e këtij projekti, institutet hidro-meteorologjike të katër vendeve do të vazhdojnë të përmirësojnë parashikimin e përmbytjeve në rajon. Shkëmbimi në kohë reale i të dhënave, kombinuar me harta të detajuara të zonave që rrezikohen nga përmbytjet dhe modelin hidrologjik të basenit të lumit Drin, do të ndihmojnë në krijimin e një modeli parashikues që do të përdoret nga katër vendet.

Qëllimi është që popullsia, e cila zakonisht preket nga përmbytjet, të lajmërohet në kohë. Kjo mundëson reduktimin e impaktit negativ që ekonomitë e popullsisë së prekur nga përmbytjet kanë pësuar gjatë viteve të fundit, dhe në Shqipëri edhe gjatë ditëve të fundit./kohajone