Shqipëri-PD-ja e Shqipërisë uron qeverinë

BDI E VMRO heshtin, PD-ja e Shqipërisë uron qeverinë
Ndërsa në Maqedoni as BDI-ja e as VMRO-DPMNE-ja nuk komentojnë nëse kanë arritur marrëveshjen për formimin e Qeverisë së re madje opinioni nuk është njoftuar nga këto parti për postet ministrore, nga Shqipëria kanë mbërritur urimet e para. Partia Demokratike e Shqipërisë përshëndeti arritjen e marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re në Maqedoni. Në një njoftim për mediat, zyra e shtypit të PD thotë se: “Përveç stabilitetit politik në Maqedoni, marrëveshja të cilën faktori i bashkuar shqiptar ia doli ta përcaktojë si kusht për krijimin e qeverisë së re, është një sukses në realizimin e interesave të shqiptarëve në Maqedoni.”

Më tej PD thotë se: “Kryelajmi është se si produkt i këtij angazhimi të përbashkët shqiptar, gjuha shqipe, do të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni. Progresi në përfaqësimin e shqiptarëve në pozicione kyçe të qeverisë së re është një garanci se kjo platformë do te zbatohet. Prania shqiptare përcaktuese në qeverinë e re të Maqedonisë është një garanci për procesin e qëndrueshëm të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.”