Shqipëri, Vlora çeli zyrtarisht sezonin turistik

Vlora çeli sot zyrtarisht sezonin turistik me një koncert të organizuar në Lungomare me pjesëmarrjen e disa prej artistëve më në zë të skenës shqiptare.

Nën tingujt e muzikës së Juliana Pashës, Kejsi Tolës, Valon Shehut, Olta Bokës, si dhe revolt Klan, Bessy DJ, Martin Van Gogh, dhe DJ Odee, qytetarët vlonjatë festuan mbrëmjen e sotme çeljen e sezonit turistik.

Përveç turizmit detar, Vlora ofron edhe turzimin historik dhe atë të natyrës. Disa nga monumentet kryesore të cilat janë të hapura për t’u vizituar janë kalaja e Kaninës, kalaja e Himarës, kalaja e Porto Palermos, në Himarë, si dhe Manastiri i 40 Shenjtorëve.

Po ashtu turistët mund të vizitojnë edhe Parkun Arkeologjik të Finiqit, Sarandë, Parkun Arkeologjik të Amantias, Plocë, Vlorë, Parkun Arkeologjik të Orikut, në Orikum. Për hyrjen në Parkun Arkeologjik të Orikut, vizitorët vendas duhet të njoftojnë të paktën 1 ditë më parë DRKK Vlorë, ndërsa vizitorët e huaj të paktën 10 ditë më parë për kryerjen e procedurave të marrjes së lejes së posaçme pasi ky park ndodhet brenda territorit të bazës ushtarake Pashaliman.

“Vizitoni Vlorën, Himarën dhe Sarandën. Mbretëreshat shqiptare të turizmit që ofrojnë jo vetën det dhe diell por edhe thesare të trashëgimisë kulturore kombëtare” është apeli i DRKK Vlorë në çelje të sezonit turistik.