Shqipëria humb dy vende në FIFA për nëntorin, rënie e madhe nga fillimi i vitit

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kombëtarja Shqiptare është penalizuar edhe në ranglistën e FIFA-s pas humbjes së rëndë e të turpshme ndaj Izraelit dy javë më parë, duke rënë ndjeshëm në klasifikimin e përfaqësueseve në FIFA. Kjo rënie mund të ishte edhe më e madhe, duke pasur parasysh se u përballëm me një ekip që cilësohet në kushte të barabarta e pse jo më të dobëta se tonat, por ka ndodhur praktikisht një rënie e lehtë dhe Shqipëria është ende midis 50 vendeve të para. Kështu, Shqipëria humbi dy vende në klasifikimin botëror të FIFA-s për muajin e fundit, gjatë të cilit u mund 3-0 nga Izraeli në “Elbasan Arena” në sfidën që gjeneroi një lumë polemikash. Organizimi botëror i futbollit ka publikuar së fundmi klasifikimin e përditësuar ku kuqezinjtë renditen në vendin e 49, dy pozicione më poshtë se një muaj më parë. Ndërkohë e njëjta ndeshje i ka shërbyer për një ngjitje fantastike në këtë renditje Izraelit që ka ngjitur plot 25 vende në klasifikimin e FIFA-s, duke rezultuar kështu një ndër skuadrat me rritjen më të madhe për këtë muaj, pasi ka fituar falë fitores ndaj Shqipërisë plot 1163.03 pikë. Për tu rikthyer te kuqezinjtë, renditja në vendin e 49-të shënon edhe pozicionimin më të keq në vitin 2016 që skuadra e De Biazit e nisi në vendin e 38 në renditjen globale. Për sa i përket kundërshtarëve të tjerë në grup, qëndron në të njëjtin vend Spanja, e cila pavarësisht fitores 4-0 në nëntor ndaj Maqedonisë, mbyll dhjetëshen e parë të skuadrave më të mira në botë, ndërsa kundërshtari ynë i radhës Italia, edhe pse mposhti me të njëjtin rezultat 4-0, skuadrën e fundit të grupit Lihtenshtejnin ka zbritur 3 pozicione duke u renditur në vendin e 16-të. Maqedonia ka zbritur 7 shkallë duke u pozicionuar e 162-të në botë, ndërsa Lihtenshtejni gjendet në vendin e 189-të. Për sa i përket Kosovës, përfaqësuesja më e re e kontinentit ka humbur një vend në renditje pas humbjes që pësoi në “Antalya Arena” të Turqisë duke u klasifikuar e 165-të në botë në klasifikimin e FIFA-s. Në muajt e ardhshëm nuk priten përparime, pasi Kombëtarja nuk ka në program asnjë ndeshje miqësore që mund të shpresojë në fitore, për më tepër që kundërshtarët kanë një gjendje më të mirë aktualisht se sa përfaqësuesja jonë. Ndeshja e radhës e Kombëtares do të luhet në fund të marsit me përfaqësuesen italiane në fushën e kësaj të fundit.