“Shqiptarët gjatë shkurtit do ta sulmojnë veriun për ta pushtuar”

Medie dhe zyrtarë serbë ka kohë që i janë rikthyer luftës speciale kundër Kosovës. Në këtë luftë, që duket të zhvillohet jo vetëm për konsum të brendshëm, ata kanë edhe “ndihmën” e shërbimeve të huaja të cilat tashmë i kanë “furnizuar” me lajme për gjoja skenarët që mund të zhvillohen në vendin tonë dhe nga vendi ynë! Si ai për sulmin në veri që gjoja do të bëhet gjatë shkurti në këtë pjesë tonën të territorit tonë, transmeton koha.net.

“Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli po merren vesh për një sulm të rrufeshëm, befasues në veri kundër serbëve…Po iu ngutet për ta pushtuar veriun sepse po i frikësohen politikës së re të Trumpit që do t’ia lëshojë Ballkanin Rusisë…, shkruan portali serb informer duke shtuar se për këtë gjë autoritetet serbe janë njoftuar nga shërbimi sekret rus dhe nga një shërbim tjetër informativ mik i Beogradit.

“Shqiptarët ekstremistë planifikojnë që gjatë muajit shkurt ta sulmojnë dhe ta pushtojnë veriun. Sulmi në veri, me përkrahje të heshtur të qendrave të fuqishme perëndimore, ka shumë muaj që po përgatitet në harmoni me kryetarin e Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa dhe me kryetarin e Kuvendit Veseli!”, thotë portali.

Sipas informatave këtyre shërbimeve, sulmi, gjoja, planifikohet të bëhet gjatë natës dhe ai do të kryhej nga pjesëtarë të ROSU-s dhe të njësive të tjera policore.
“Çdo gjë është menduar ashtu që me vrap, në afatin prej 24 orësh, të pastrohen serbët dhe të merret veriu i Kosovës, krejt deri në Jarinje. Aksioni do të arsyetohej me një incident të inskenuar në të cilin do të plagoseshin ose vriteshin disa policë shqiptarë. Pastaj aksioni do të prezantohej si legjitim ndaj luftë nxitjes së Beogradit, përkatësisht mbrojtjes së shqiptarëve nga agresioni serb”, përfundon shkrimi.

Por kryetari i Këshillit për Kosovën Milovan Drecunb parasheh dështimin e këtij operacioni. “Kosova do të dështonte në këtë operacion. Shqiptarët e dinë këtë”, është kërcënuar ai.
Natyrisht, e gjitha kjo është propagandë serbe, sikur ajo e viteve të 80- të shekullit të shkuar. E edhe dëshirë e Beogradit për t’u destabilizuar jo vetëm Kosova por përgjithësisht rajoni. Serbia është mjeshtre inskenimesh. Kështu ka bërë edhe në Pejë në restorantin “Panda” në vitin 1998 kur kishte vrarë të rinj serbë për të fajësuar shqiptarë. Kështu deshi të bënte edhe me trenin provokues para dy javësh.