Shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë festojnë festën e Krishtlindjes

Besimtarët katolikë u mblodhën në katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku po mbahet mesha e Krishtlindjes.

Mesha kremtohet nga Arqipeshkvi i Arkidioqezes Tiranë-Durrësit, Imzot Xhorxh Frendo, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe dashuri dhe mirësi.

Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura.

Gjithashtu edhe Kosova po feston festën e Krishtlindjes, bazuar në vlerat tradicionale themeltare, tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Ka nisur sonte pritja solemne në Rezidencën e Ipeshkvisë së Kosovës, pranë Katedrales “Nënë Tereza” Prishtinë, e cila është organizuar nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, me rastin e Festës së Krishtlindjes 2016.

Në porosinë për Krishtlindje 2016, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji thekson se është festa e paqes, e dashurisë dhe e pajtimit, e cila na mbushë të gjithëve me shpresë dhe nxit në entuziazmin e jetës.