Shqiptarët të pavendosur se kë do të mbështesin në Tearcë

Në procesin e rivotimit në Tearcë të Tetovës, partitë shqiptare do të qëndrojnë anash. Të paktën publikisht, subjektet politike të shqiptarëve thonë se nuk do ta mbështesin ndonjërën nga partitë maqedonase, VMRO DPMNE apo LSDM. Përfaqësuesit e partive shqiptare thonë se do ti lënë të lirë qytetarët që të vendosin ditën e votimeve pasi rivotimi në Tearcë nuk do të ndryshojë rezultatin zgjedhor në bllokun shqiptar. Nga BDI theksuan se me rëndësi është zgjedhjet të jetë të lira dhe demokratike si dhe qytetarët të kenë mundësi lirshëm të shprehin vullnetin e tyre.
“Gjatë fushatës secila parti ka prezantuar platformën e vet politike dhe tani qytetarët kanë mundësi të përcaktohen”, thonë nga BDI-ja.
Nga Lëvizja Besa gjithashtu theksuan se nuk do ta favorizojnë asnjërin subjekt maqedonas.

“Konform rezultatit zgjedhor Lëvizja Besa nuk është pjesë e këtij procesi votuesit si votues çdo votues ka të drejtë të vendos ashtu siç vlerëson se është më mirë të vendos”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Edhe Aleanca për Shqiptarët është në të njëjtën vijë. Nga kjo parti bënë të ditur se kryesia qendrore ka vendosur të mos përkrah asnjërën parti maqedonase.

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, në vendvotimin 2011 VMRO DPMNE-ja grumbulloi 91 vota, LSDM-ja 87, Besa 65 vota, PDSH-ja 64, BDI-ja 53 dhe Aleanca për Shqiptarët 25 respektivisht partitë shqiptare grumbulluan gjithsej 207 vota, ndërkaq për të ndryshuar rezultatin e zgjedhor nevojiten të paktën 307 vota në favor të LSDM-së, pas çka partitë maqedonase do të kishin numër të barabartë të mandateve, respektivisht VMRO-ja nga 51 do të ulej në 50 deputetë ndërsa social-demokratët nga 49 do të ngrihen në 50 mandate.alsatm