Shqiptari i Cosa Nostras: Dallimi mes mafias shqiptare dhe të huaj

John Edward Alite i njohur si “Johnny Alletto” është gangsteri i famshëm shqiptar që ishte ngjitur në rangjet më të larta të mafias italiane Cosa Nostra.

Ai ishte dora e djathtë e John Gotti të ri dhe roja i tij personal, por kishte punuar edhe për John Gotti-in e vjetër, njeriu që besohet se eliminoi vet bosët e mafias për të udhëhequr më pas me pushtet të padiskutueshëm.

Alite, me prejardhje nga Gjirokastra për shumë vjet ishte pjesë e kësaj bote, derisa më pas u zu nga policia dhe përfundoi në një burg famëkeq në Brazil.

Ai kishte kuptuar se ish-bosët e tij po e shisnin te forcat e rendit, ndaj vendosi t’ua kthejë me të njëjtën monedhë.

Johni fal bashkëpunimit me organet gjyqësore sot është i lirë. Ai ka dhënë një intervistë për Info Magazine të Klan Kosovës – hera e parë për një televizion shqiptar.

Në intervistën e tij ish-gangsteri ka folur edhe për dallimin mes bandave në Amerikë. Ai ka treguar si shqiptarët janë ndryshe nga italianët e rusët.

“Një gjë që nuk e mësuam kurrë nga italianët është se italianët nuk janë edhe aq agresivë, ata manovrojnë duke përdorur trurin e tyre më shumë sesa muskujt dhe loja është e ndërtuar në atë mënyrë që sa më i dhunshëm që je, vëmendja drejt teje është më e madhe dhe ideja e të bërit shumë e shpejt para është afatshkurtër”, thotë Alite.

“Shqiptarët fatkeqësisht ende janë më të njohur për bolet e tyre sesa për trurin. Dhe guximin e përdorin për dhunë. Shqiptarët fitojnë para, sepse janë të dhunshëm dhe e fusin veten në biznesin e drogës dhe biznese të ngjashme, por mos të keqkuptohem, po flas për shqiptarët e rrugës. Sepse ka shumë shqiptarë të tjerë që punojnë fort, që punojnë në ndërtimtari e në industrinë e hotelerisë dhe i bëjnë gjërat në mënyrën e duhur”.

“Por unë po flas për tipat si puna ime dikur, që i bëjnë gjërat në mënyrën e gabuar. Ka pasur shumë prej tyre që kanë qenë miq të mi dhe disa ende i kam miq; djem të rrugës, të njohur për dhunën e tyre, ashtu si unë një kohë”.

“Ndërsa rusët merren me gjëra të tjera, ata më shumë merren me krime me para, me sigurime, stoqe, me mashtrime bankare, rusët duket se e përdorin trurin më shumë se ne në aktivitetet kriminale. Nuk është ajo që të gjithë besojnë, në gjërat si KGB-ja e vjetër e stili i tillë i gangsterëve”.

“Ndërsa shqiptarët njihen për dhunën e tyre dhe normalisht dhuna sjellë frikën. Dallimi i vetëm është se shqiptarët ende nuk e kanë kapacitetin të jenë më të organizuar si disa nga grupet tjera”.

“Por, kur njerëzit ua kanë frikën, ju do të jeni në gjendje të kontrolloni shumë gjëra. Megjithëse tani gjërat po ndryshojnë, ka më shumë e më shumë shqiptarë që po vijnë në SHBA dhe ata i hapin shtegun vetës në rrugë”.

“Një gjë është e sigurt, kur shqiptarët thonë se do të bëjnë diçka ata zakonisht e bëjnë, nëse të thonë se do të vrasin, ata të vrasin, nëse të thonë se do të lëndojnë keq, ata e bëjnë, janë shumë agresivë, e kemi në kulturë”.

“Duket se kjo na vjen nga viktimizimi shekullor që kemi pasur. Kjo na ka krijuar një kulturë prej luftëtarësh, një kulturë shumë agresive – dhe po, shqiptarët janë të përfshirë gati në të gjitha aspektet e krimit”.

Alite ka treguar edhe për tentativat e shqiptarëve që të krijojnë rrejtet e tyre të pavarura nga të tjerët.

“Ka pasur në vende të ndryshme grupe të vogla, kryesisht të përfshira me italianët. Por, ke njerëz si Alkes Rudaj që u kap me italianët dhe tani është në burg duke vuajtur një dënim të gjatë. Ai provoi të bëjë diçka në të tijën, ishte shumë agresiv dhe fatkeqësisht u burgos”.

“Gjithsesi, nuk kam qenë i shoqërueshëm më të, vetëm se e kam njohur ashtu siç edhe ai më ka njohur mua, por ai ishte shumë i pëlqyer, sidomos në komunitetin e shqiptarëve, ata e donin”.

“Ishte një njeri i pashëm dhe po bënte shumë para, por thjesht u zu duke provuar të lëvizë shumë shpejt dhe nuk e kishte kuptuar mirë mentalitetin e italianëve”.