Shtabi Qendror Zgjedhor i BDI-së realizoi takim me kandidatët për kryetar komunash

Shtabi Qendror Zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim, sot (e Premte 15.09.2017) realizoi takim me kandidatët për kryetar komunash, bartësit e listave të këshilltarëve dhe shefat e shtabeve vendore.

Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor i BDI-së Fatmir Besimi para të pranishmëve theksoi se mbrëmë Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim, ka përcaktuar kandidatët për kryetar komunash si dhe listat e këshilltarëve për pushtetet vendore në komunat ku marrim pjesë.

BDI, sipas tij, në zgjedhjet e 15 tetorit do të garojë me 18 kandidatë për kryetar të komunave edhe atë në Komunën e Likovës,Haraçinës, Çairit, Shuto Orizarës, Studeniçanit, Sarajit, Zhelinës, Tearcës, Jegunovcës, Tetovës, Bogovinës, Vrapçishtit, Gostivarit, Dibrës, Kërçovës, Pllasnicës, Dollnenit, dhe në komunën e Strugës. Në Bërvenicë mbështesim kandidatin e pavarur.

“Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje merr pjesë me 35 lista këshilltarësh nga të cilat tre lista janë të përbashkëta me parti politike shqiptare – në Ohër, Manastir dhe në Gazi-Babë – në dy të parat – listat kryesohen nga kandidatët tanë. Me një fjalë, ne në këto gara hyjmë me 729 kandidatë për këshilltarë komunal. Listat janë reflektim i vullnetit të qytetarëve nëpër komuna dhe rezultat i konsultimeve të gjera me degë e këshilla vendorë. Kandidatë posedojnë kredibilitet personal dhe profesional dhe vizion të qartë për të ardhmen e komunave. Takimi i sotëm është i pari e Shtabit Qendror me kandidatët për kryetarë dhe kryesuesit e listave. Takimi është në funksion të mir organizimit të zgjedhjeve – në sensin që ato të jenë të lira, të ndershme, të besueshme e demokratike, konform standardeve ndërkombëtare”, tha Besimi.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet ofertës sonë, gjegjësisht Programit për këto zgjedhje, për shkak se vlerësojmë se zgjedhjet e 15 tetorit janë tejet te rëndësishme: qytetarët zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre për pushtetin lokal, në mënyrë që t’u japin zgjidhje kërkesave dhe çështjeve nga përditshmëria e tyre, u shpreh Besimi.

“Kjo për shkak se Bashkimi Demokratik për Integrim tashmë ka dëshmuar se është e vetmja forcë politike shqiptare që e bën ndryshimin – për një të ardhme më të mirë, më të sigurt për qytetarin, për kombin dhe vendin. Ne jemi thellësisht të bindur se në këto zgjedhje dalim me kandidatë – personalitete që posedojnë dije dhe guxim për t’u dalë zot punëve që i presin, për shkak se jemi të ndërgjegjshëm se në punën e përditshme përgjegjshmëria dhe llogaridhënia duhet të jenë dalloja jonë kryesore në punën e përdishme”, u shpreh Shefi i shtabit të BDI-së, Fatmir Besimi.