Shtatë të akuzuarit për terrorizëm në Kosovë, lidhje në Shqipëri e Maqedoni

Shtatë të akuzuarit nga Mitrovica, Ferizaj, Skenderaj dhe Prishtina, do të qëndrojnë për një muaj në paraburgim. Vendimi është marrë Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ata akuzohen se janë të lidhur me organizatat terroriste ISIS dhe Al Nusra.
Mbrëmë është raportuar se Prokuroria Speciale beson se të arrestuarit ishin në kontakt me Lavdrim Muhaxherin, ish udhëheqësin e shqiptarëve në Siri, dhe në bazë të udhëzimeve të tij, ata përgatisnin sulme ndaj institucioneve të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit.
Sipas prokurorisë, të dyshuarit kishin cak institucionet e sigurisë, të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat ekonomike, politike dhe financiare.
Të akuzuarit, sipas Prokurorisë, i takojnë një rrjeti të gjerë terrorist në Ballkan, ku përveç Kosovës, përfshihen edhe të dyshuar tjerë nga Maqedonia dhe Shqipëria.
Lajmi.net ka siguruar pretendimet e Prokurorisë ku thuhet se institucioni i akuzës kosovare ka kërkuar masën e paraburgimit për shtatë të akuzuarit duke marrë parasysh kontaktet e tyre jashtë vendit që i kanë pasur dhe po ashtu konsideron se është i bazuar dyshimi se në këtë rrjet terrorist gjenden edhe shumë anëtarë të tjerë të organizatës së njëjtë, të cilët gjenden në liri dhe gjatë hetimeve është e nevojshme të merren deklaratat e shumë dëshmitarëve, ashtu që po të gjenden të pandehurit në liri do të përpiqen të ndikojnë në dëshmitarë apo në të pandehur të tjerë.
“Konsiderojmë se është e bazuar edhe frika se të pandehurit duke marrë parasysh seriozitetin e veprës penale për të cilën dyshohen, konsiderojmë që të njëjtëve duhet t’u caktohet paraburgimi ashtu që të na mundësohet puna e papenguar për zhvillimin e hetimeve. Siç e dinë gjykata e cila ka marrë raportin e kontrollit në lokale të ndryshme, ne do të nxjerrim të gjitha shënimet të cilat ndoshta do të përdorën si prova në procedurë të mëtejme hetimore. Duke marrë parasysh se që të gjithë të pandehurit në bazë të masave të fshehta është vërtetuar se kanë pasur kontakte me personat tjerë nga Maqedonia dhe Shqipëria, ashtu që nëse të njëjtit do të lëshohen në liri, ekziston rreziku së të njëjtit do të arratisen dhe të jenë të paarritshëm për organet”, thekson Prokuroria Speciale.
Tutje, sipas Prokurorisë, në bazë të masave të fshehta të cilat janë lëshuar nga kjo gjykatë, ka rezultuar se të gjithë të pandehurit kanë mundur të kenë kontakte me persona tjerë që kanë vepruar e që veprojnë në territorin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, dhe po ashtu të njëjtit dyshohen se i takojnë organizatave ISIS dhe Al Nusra.
Të akuzuar janë: Bujar Brahimi, Visar Ibishi, Liridon Morina, Burim Istrefi, Leotrim Musliu, Kenan Plakaj dhe Leotrim Vojvoda. /lajmi.net/