Shtëpia e Operës në Sidnej nis sezonin me Ermonela Jahon

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho me “La Traviata” çel sezonin artistik në operën e Australisë. Faqja zyrtare e Shtëpisë së Operës në Sidnej ka njoftuar se sezoni i vitit 2017 do të nisë me sopranon shqiptare, e cila në shfaqjen operistike do të paraqitet në rolin e Violetës. Ermonela Jaho në rolin e Violetës do të prezantohet prej 3 shkurtit deri më datë 18, ku brenda kësaj periudhe do të paraqitet në gjashtë shfaqje. Një vit shumë i suksesshëm ky për sopranon shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, e cila disa muaj më parë mori vëmendje për një çmim shumë të rëndësishëm. Në vijim të aktivitetit të saj, sopranoja Ermonela Jaho fitoi çmimin ndërkombëtar prestigjioz “Readers Award”, që u mbaj në teatrin “Savoy” të Londrës. Sopranoja me famë botërore triumfoi mes shumë zërave të tjerë operistikë nga mbarë bota, duke u vlerësuar maksimalisht nga votat e publikut ndërkombëtar. Performanca e saj në skenë para marrjes së çmimit ka përlotur të gjithë publikun. Në faqen e Twitterit të Opera Awards 2016 është shkruar: “Të gjithë në lot pas performancës së Ermonela Jahos  “Mamma usciva da casa”. Në përfundim të performancës i gjithë publiku është ngritur në këmbë, ndërsa duartrokitjet kanë zgjatur për shumë minuta”. Sopranoja shqiptare u nominua për këtë çmim, që për herë të parë fitohet nga një shqiptar, pas performancës së saj të “Sour Angelica” në veprën e Puçinit apo edhe për operën “Zaza”. Ajo filloi mësimet e saj të të kënduarit kur ishte vetëm gjashtë vjeç. Pas përfundimit të studimeve në shkollën artistike “Jordan Misja” në Tiranë fitoi një konkurs, që i mundësoi largimin e saj në Itali për të përfunduar studimet në Akademinë “Santa Cecilia” në Romë. Pas përfundimit të studimeve për këndim dhe piano, ajo fitoi disa konkurse të rëndësishme. Ka performuar në shumë opera të botës, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera e Marsejës, Arena di Verona, Teatro Verdi di Trieste,  etj. Aktiviteti i saj i parë ka qenë koncerti në Mantova. Më pas kanë qenë një sërë koncertesh, në akademinë “S. Cecilia”, konkurset, opera e parë “Cenerentola”, nga Rossini, “L’amico Fritz” nga Mascagni, e shumë personazhe si Zhuljeta, Suzana, Kontesha, Adina, Mimi, Armida etj.