Shtohen vjedhjet në Çair, banorët të shqetësuar

Banorët e Çairit ankohen se janë shtuar rastet e vjedhjeve në lagjet e këtij vendbanimi. Ata thonë se nuk ndjejnë aspak siguri gjatë qëndrim në shtëpi dhe kërkojnë ndihmën e institucioneve. Një pjesë e tyre thonë se kanë frikë të dalin nga shtëpitë, për shkak të rrezikut të madh nga hajnat. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë për Punë të Brendshme, vetëm brenda muajit të kaluar në komunën e Çairit kanë ndodhur 55 raste vjedhjeje.

“Të rinjtë vjedhin ma shumë, të rinjtë vjedhin. Duhet shteti që të gjejë punë por nuk ka dhe të rinjtë ikin ma shumë jashtë”.
“Kam dëgjuar, ka pas edhe më përpara edhe tash, vjedhin nuk mund ti ndalësh, por janë strukturat që atë punë duhet që ta ndalin dhe ti zënë”.

“Ka vjedhje , por te unë afër nuk kamë dëgjuar pak më larg janë kanë vjedhjet shtëpinë njërit, por tek unë jo pasi që jemi tre vëllezër dhe kemi një hyrje deri, deri më tash nuk ka ndodhur”.

Nga Sektori për Punë të brendshme në Shkup thonë se krahasuar me muajin nëntor nuk vërehet ndonjë rritje e madhe e këtyre rasteve.

“Gjatë muajit të fundit të vitit 2016 në rajonin e Shkupit janë regjistruar 910 vjedhje nga të cilat 159 janë zbardhur. Në komunën e Çairit në të njejtët periudhë janë regjistruar 55 raste nga të cilat janë zbardhur gjashtë , ndërsa në rajonin e Bit Pazarit janë regjistruar gjithsej 78 vjedhje brenda dhjetorit nga të cilat deri më tani tre janë zbardhur”, thonë nga MPB-Ja.

Në rajonin e Shkupit, situata është alarmante edhe me vjedhjet e përsëritura në të njëjtat shtëpi, ndërsa është rritur edhe numri i të miturve që kanë kryer vjedhje.