Shtohet numri i të rinjve që përdorin qetësues

Të miturit në Maqedoni përdorin dyfish më shumë qetësues nga moshatarët e tyre në Evropë. Sipas hulumtimeve të Institutit për shëndet publik, 11% e të rinjve në vend të moshës prej 13 deri 16 vjeç kanë përdorur qetësues, ndërsa mesatarja Evropiane është 6%. Tregues të saktë përse fëmijët marrin aq shumë qetësues nuk ka, por disa mjekë gishtin e drejtojnë drejtë familjeve.

“Shumë shpesh ndodhë që prindërit të jenë ata që herën e parë ju japin pilula fëmijëve të tyre që të qetësohen para provimit ose hartimit. Por jo vetëm fëmijët, ndodhë edhe atë shumë shpesh që prindërit të përdorin qetësues”, tha Silvana Onçeva, mjeke nga instituti i shëndetit publik.

Për të parandaluar këtë dukuri shqetësuese, mjekët rekomandojnë masa nga strategjia nacionale për të rinjtë.

“Tanimë ka masa, ato kanë të bëjnë para se gjithash me avancimin e edukimit të nxënësve dhe të rinjve, përmirësimin e kapaciteteve të kuadrove në institucionet përkatëse përmes trajnimeve dhe njohurinë e tyre për format e përdorimit të qetësuesve”, tha Elena Qosevska, mjeke nga instituti i shëndetit publik.

Hulumtimet kanë treguar të dhëna shqetësuese për bixhozin tek personat e rinj. Madje 13,6% e të anketuarve të moshës 13 deri 16 vjeçe, kanë deklaruar se kanë luajtur bixhoz. Pozitive është trendi i uljes së konsumimit të duhanit tek të rinjtë. Në këtë hulumtim janë përfshirë 5141 të anketuar./alsatm