“Shuhet” Dritëro Agolli – Politika përcjell me dhimbje ndarjen nga jeta të shkrimtarit Agolli

Ndarja nga jeta e shkrimtarit Dritëroi Agolli është një humbje e madhe jo vetëm për letrat shqipe, por dhe politikën.

I pari që ka përcjellë me dhimbje lajmin e vdekjes së shkrimtarit ka qenë kryeministri Rama.

Rama: Dritëroi, vend pelegrinazhi për të dashuruarit pas letrave shqipe

“Lamtumirë Dritëro. U prehsh i qetë në tokën ku le pas një mal të lartë përjetësie, i cili do të mbetet vend pelegrinazhi për gjithë të dashuruarit pas letrave shqipe, brez pas brezi…”

Basha: Kombi humbi kolosin e letrave shqipe

Shefi i opozitës Basha shkruan në fb se kombi humbi sot kolosin e letrave shqipe, poetin tone të madh.

 “Kombi shqiptar humbi sot kolosin e letrave shqipe, poetin tone të madh, shkrimtarin e njerëzve të vërtetë, Dritëro Agollin. Familja e tij, miqtë dhe të dashurit, lexuesit, shqiptarët kudo ku ndodhen ndajnë sot dhimbjen për ndarjen nga jeta të babait, bashkëshortit, mikut dhe gjeniut të letrave shqipe.Pak shqiptarë kanë ndikuar në ndërgjegjen dhe emocionet tona si Dritëroi i madh. Ai transformoi letersine shqipe duke emancipuar shoqërinë shqiptare me veprën e tij për të mirën dhe të keqen, për njerëzit e thjeshtë, për dashurinë për vendlindjen dhe atdheun.Kam patur nderin dhe privilegjin ta njoh, ta takoj dhe ta dëgjoj nga afër Dritëroin sepse dera e tij e madhe ishte gjithnjë hapur. Vepra e tij është e përjetshme. Në paqe u prehtë shpirti i tij”.

Idrizi: Humbje e madhe për kombin

Edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e ka cilësuar një humbje të madhe për kombin ndarjen nga jeta të shkrimtarit.

“Humbja e Dritëro Agollit është një humbje për kombin tonë. Vepra e tij do të mbetet përjetë, por ajo që do të na mungojë është qetësia dhe thellësia e mendimit të Dritëroit, që ndikonte vazhdimisht për mirë në jetën publike shqiptare.Kujtoj me respekt faktin se edhe pse sëmurë, ishte i pari që iu bashkua rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame, duke treguar vlerat e tij të mëdha kombëtare, që nuk i kufizonte vetëm në letërsinë që lëvroi dhe do t’i mbijetojë kohrave. Kujtimi i tij do të jetë i paharruar!U prehtë në paqe!”

/Oranews.tv/