Shuhet Rexhep Çeliku, ikona e valles shqiptare

Ai ishte 63 vjeç. Ikona e valles shqiptare vuante nga një sëmundje e rëndë. Rexhep Çeliku lindi në Tiranë në vitin 1954.
Qysh prej vitit 1976 ishte solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje,brenda dhe jashtë vendit. Valltari për 45 vjet radhazi i dha hijeshi skenës me trupin e tij lastar dhe me kërcimin e tij magjepsës.
Rexhep Çeliku është simbolizuar me shprehjen “Shqiponja e skenës shqiptare”.
Ai ka mahnitur publikun me kërcimin e tij fluturues sidomos në “Vallen e shqipeve”, jo vetem nëpër skenat shqiptare, por edhe nëpër festivale botërore të këngëve dhe valleve popullore.
Hapat e Rexhep Çelikut kanë hyrë përmes ekranit në çdo shtëpi shqiptare brenda dhe jashtë Shqiperisë,para dhe pas viteve `90-të dhe jo vetem,Rexhep Çeliku ka qenë i pranishëm kudo që ka shqiptarë.
Në Shkup Çeliku ka përkrahur dhe stërvitur valltarët e Shoqerive kulturore , Karshiaka, Ibe Palikuqi, Emin Duraku.
Ikona e valleve vetëm 4 ditë para se të ndronte jetë u akordua me çmimin: “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikes se Shqiperise Ilir Meta, me motivacionin:
“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.
Humbja e Rexhep Çelikut është një humbje e madhe për kulturën gjithëshqiptare.