‘Shumë shpejt’ do të përfundohet lista e veteranëve invalidë të luftës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka pritur sot në takim kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, dhe sekretarin e kësaj shoqate, Enver Krasniqi.

Gjatë këtij takimi, Abrashi dhe Shurdhaj biseduan lidhur me punën dhe nevojat e shoqatës për vitin 2017, përkatësisht për punën e Komisionit për veteranët invalidë nga të gjitha zonat e Kosovës  dhe vazhdimin e implementimit të projektit për protezat e invalidëve të luftës, i aprovuar në fundvitin e kaluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, bën të ditur një njoftim nga MPMS.

“Ministri Abrashi, theksoi që pas konsultimeve dhe pas kompletimit të listave nga Komisioni, Ministria e Punës dhe Mirëqenies do të hapë procedurat për aplikim për shqyrtimin e shkallës së invaliditetit për secilin veteran invalid, sipas aplikimit të tyre bazuar në procedurat e parapara për aplikim në skemën e pensioneve dhe beneficioneve të përcaktuara me ligj”, thuhet në njoftim.

Sipas diskutimeve mes ministrit Abrashi dhe kryetarit Shurdhaj, kompletimi dhe përfundimi i listës së veteranëve invalidë të luftës së UÇK-së pritet të përfundojë shumë shpejt dhe pas kësaj ministria obligohet të kryejë obligimet ligjore.